DURRËS, 17 shkurt 2014 – Pija e tepruar për pak sa nuk u merr jetën dy personave. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se më 15 shkurt 2014 filloi procedimi penal në gjendje të lirë për K. M., 27 vjeç, banues në Durrës, sepse rreth orës tre të mëngjesit, duke udhëtuar xurxull me “Volkswagen”-in me targa AA657GL, në lagjen nr. 2 Durrës, humb kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me dy “Benz”-a, njëri me targa DR8647C dhe tjetri TR6752I. Për pasojë u dëmtua K. M. dhe pas mjekimeve të marra ne Spitalin Ushtarak Tiranë është larguar për në banesën e tij pa probleme për jetën. Më 17 shkurt 2014, rreth orës 4.20 të mëngjesit, në Spitalin Ushtarak Tiranë ka shkuar për ndihmë mjekësore i dëmtuar në kokë A. G., 26 vjeç, banues në fshatin Koxhas të komunës së Xhafzotajt. Por doli se 26-vjeçari, i bërë tapë, pas një konflikti familjar, është hedhur nga avllia, duke pësuar dëmtime në kokë, por aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





