DURRËS, 21 gusht 2014 – Paraditen e 21 gushtit 2014 drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (AKB) Auron Tare, i shoqëruar nga përfaqësues të pushtetit vendor dhe ushtrisë ka qenë në kampin e Gjirit të Lalëzit për të falënderuar forcat ushtarake, vullnetarët, emergjencën civile për përkushtimin e tyre gjatë këtij sezoni, jo vetëm për të mbajtur plazhet e pastra, por edhe në shpëtimin e jetëve.
Tare tha:
“Për dy muaj me radhë vija bregdetare e Ishmit është pastruar nga këta djem. Për dy muaj me radhë vija bregdetare e Ishmit është patrulluar nga këta djem. Falë punës së tyre, këtë sezon kishim një rërë më të pastër, kishim më shumë siguri, u shpëtuan jetë njerëzish. Nga stafi i AKB-së i falënderojmë të gjithë pjesëtarët e Forcave të Armatosura dhe vullnetarët, që ishin me ne për një bregdet të pastër”.
Një ditë më parë është, ditën e mërkurë 20 gusht 2014,u zhvillua aksioni i pastrimit në Gjirin e Lalëzit dhe koordinimi i punës se stafit të AKB-së dhe Forcave të Aramatosura për patrullimin e bregdetit deri në plazhin e Hamallajt.
“Kapacitetet që ka aktualisht agjencia kombëtare e bregdetit nuk janë të mjaftueshme për të monitoruar të gjithë vijën bregdetare të vendit tonë, të cilat frekuentohen masivisht nga pushuesit, për pasojë duhet më shumë bashkëpunim me pushtetet vendore”, tha Tare gjatë analizës së punës dy-mujore të task forcës bregdetare në kampin e vullnetarëve në Gjirin e Lalzit.
U përmend se gjatë këtij sezoni turistik 6 pushues kanë humbur jetën, ndërsa 600 të tjerëve u është ofruar ndihma nga taksa forca bregdetare.
“Aty ku ka qenë prezenca dhe përkujdes i institucioneve. ka pasur eficencë maksimale. Në zonat ku ka pasur jo bashkëpunim të pushtetit vendor, kemi pasur edhe raste tragjike, siç ishin edhe dy mbytjet e fundit në disa zona të bregdetit shqiptar”, tha Auron Tare.
Ndërsa kryetari i komunës së Ishmit Sulejman Ibrahimi, shërbimin e munguar ndaj pushuesve e lidh me buxhetin e ulët, duke pranuar që ka vend për përmirësim.
“Jemi shumë dobët nga ana buxhetore prandaj kemi bërë forca të jashtëzakonshme për të bërë të mundur ti përballojmë këto situata”,deklaroi Ibrahimi.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





