U vihet shiriti i bllokimit 3 hoteleve të mëdha në Durrës, që nuk lëshonin kuponin tatimor, nuk deklaronin çmimin real të dhomave etj. Kryeministri Edi Rama ka postuar një video, ku duken momente nga aksioni në krye të të cilit është vetë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.
"STOPINFORMALITETIT
Currila – Lufta kundër informalitetit vijon dita-ditës dhe rezultatet e para po vijnë. Por rruga përpara është e gjatë dhe kërkon këmbëngulje e durim të madh
#ZeroTolerancë ndaj abuzuesve",– shkruan Rama në Facebook.
Nga kontrolli në terren i tatimorëve janë konstatuar edhe hotele me 4 yje nga Golemi në Currila me probleme. Subjektet që janë konstatuar me shkelje për herë të parë është ndërgjegjësuar biznesi për të mos e përsëritur më shkeljen, ndërsa subjekteve që nuk e kanë për herë të parë u është bllokuar aktiviteti.
Në terren janë 8 grupe inspektimi që kanë fokus kontrollin e hoteleve me kapacitete të mëdha. Gjatë aksioneve janë inspektuar më shumë se 100 subjekte turistike.