Jetojnë mes lagështirës dhe rrezikut të përhershëm se tavani mund t’ju bjerë mbi kokë.

Familja Xherahu jeton prej dekadash në katin e tretë të një godine 3 katëshe në stacionin e parë në zonën e plazhit të Durrësit. Por dy dhoma të apartamentit janë tërësisht të pabanueshme prej vitesh.

E njëjta situatë është dhe në apartamentin përballë, i cili është i rrënuar tërësisht.

Çatia e godinës ka dalë tërësisht janë funksionit, pasi kalbja e trarëve ka bërë që në kohë me reshje, shiu që bie jashtë, bie dhe brenda.

“Është kalbur kjo, ka kaq vite. Kemi bërë kërkesë, nuk ka ardhur njeri. Lagështira na mbyti. Tavanet janë çarë dhe kanë rënë. Ka 10 vite kjo situatë. Kemi vënë disa llamarina, sepse nga të dy krahët e dhomës i kam lagështirë, sepse ka rënë tavani”,– thotë Vasillaq Xherahu për “DurrësLajm”.

Bashkëshortët Xherahu i janë drejtuar disa herë, në vite të ndryshme, bashkisë me kërkesa me shkrim për riparimin e godinës, por deri më tani asgjë nuk është bërë.  

“Ju lutem na ndihmoni i themi bashkisë. Kemi shkuar 100 herë në bashki. Do vijmë, s’kemi fonde. Hajde na rregulloni çatinë, se të tjerat po i rregullojmë vetë”,- thotë kryefamiljari.

Siç tregon Vasillaq Xherahu, para dy vitesh, bashkia realizoi vetëm lyerjen e fasadës së godinës, ndërkohë që në dy godina të tjera, shumë pranë banesës së tij, çatia u bë tërësisht e re, siç duket edhe në fotot që po publikojmë.

Pas interesimit tonë në bashki, na u komunikua se një grup specialistësh do të shkojë të shohë nga afër gjendjen e godinës, për të përcaktuar më tej hapat që do të ndërmerren për zgjidhjen e problemit të këtij pallati 3-katësh.

M.B.