DURRËS, 22 shtator 2014 – Të dielën, më 21 shtator 2014, ndodhën dy fatkeqësi në punë, që përfunduan, njëra me vdekje dhe tjetra me plagosje, teksa vërehet se organet shtetërore që merren me kontrollin e respektimit të rregullave të sigurimit teknik, ia kanë futur gjumit.
Drejtoria e policisë së shtetit të qarkut të Durrësit bën të ditur se të dielën, më 21 shtator 2014, u arrestua në flagrancë shtetasi Aurel Shahini, 28 vjeç, banues në Durrës, pronar i një servisi në lagjen nr. 17/1, pasi po të dielën, rreth orës 17.30, Gj. T., 31 vjeç, banues në Durrës, me profesion mekanik, gjatë kohës kur po riparonte një fadromë, kabina e saj i ka rënë sipër, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Sërish të dielën, më 21 shtator 2014, në spitalin rajonal shtetëror u paraqit me dëmtime M. B., 21 vjeç, banues në Durrës, i cili, gjatë kohës kur bënte prova të motorit të anijes së peshkimit, ka rrëshqitur dhe ka pësuar fraktura në trup; policia tha se po bëhen hetime.
Bën mirë policia që ndëshkon punëdhënësit, por në Shqipëri ka ente publike që paguhen për të ndjekur respektimin e Kodit të Punës dhe parandalimin e ngjarjeve tragjike nga shkelja e rregullave të sigurimit teknik.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





