Në prag të ndërrimit të viteve, Orkestra e Harqeve e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës do të japë mbrëmjen e së enjtes Koncertin festiv me pjesë nga kompozitorët shqiptarë dhe të huaj.

Premierë për këtë natë orkestrale do të jetë vepra e kompozitorit durrsak Moni Kuriçi “Suitë ballkanike”, si dhe vepra e njohur “Serenade” e kompozitorit çek Josef Suk.

“Mbyllja e vitit për orkestrën tonë është një rezyme e suksesshme, pasi vjen pas disa aktivitetesh shumë të rëndësishme kombëtare, mes të cilëve marrja e çmimit të parë si ‘Orkestra më e mirë” në Festivalin e Muzikës së Dhomës, në Elbasan. Në repertorin që kemi përzgjedhur për artdashësit tanë kemi dy pole. Pjesa e parë është me muzikë shqiptare, me premierën e veprës së kompozitorit Kuriçi, ndërsa në pjesën e dytë kemi një tricikël romancash, ariesh, që do t’i sjellë mezosoprano Olta Juba”,– tha ndër të tjera dirigjenti i orkestrës Petrika Afezolli, gjatë konferencës për shtyp që dha për gazetarët.  

Në prova intensive gjatë këtyre ditëve, të gjithë anëtarët e orkestrës po bëhen gati për koncertin e madh gala. Por përkundër përkushtimit në punë, që këtë vit u shpërblye me vlerësimin mëse të merituar si “Orkestra më e mirë” në takimin kombëtar të Muzikës së Dhomës dhe Orkestrave të Harqeve të zhvilluar në Elbasan, honoraret e muzikantëve lënë për të dëshiruar.

Pas dyfishimit të vlerës së honorarit tre muaj më parë, instrumentistët shprehin sërish pakënaqësi, sepse vlera 8 mijë lekë në muaj nuk justifikon shpenzimet.

Për dirigjentin Petrika Afezolli dhe kompozitorin Moni Kuriçi, pagesat e artistëve janë ende larg shpërblimit monetar, që aplikohet në qytetet e tjera të vendit.

“Përjashtuar Tiranën, që është një superfuqi, po të jetë në avangardë Shkodra, Elbasani, Korça e Fieri dhe të jetë Durrësi në nivelet minimaliste, kjo është një gjë që duhet të rishikohet. Me lobimet indirekte që kemi bërë, zonja e nderuar Emiriana Sako ka deklaruar edhe në Këshillin Bashkiak, që në buxhetin e marsit do ta trajtojë si çështje dhe orkestra do të gjejë vendin dhe dinjitetin që i takon”,– tha Afezolli.

“Fatkeqësisht, asnjëherë nuk kemi qenë të vlerësuar, në masën që meritonim. Vijmë në këtë ditë sot, që siç tha Petrika janë bërë disa lëvizje, por unë i konsideroj të pamjaftueshme, sepse duke iu referuar Shkodrës, një kolegu ynë atje të shpërblehet me 250 mijë lekë të vjetra dhe ne të diskutojmë 120 mijë lekëshin më duket shumë jo profesionale”,- deklaroi kompozitori Kuriçi.  

Aktualisht Orkestra e Harqeve të Durrësit përbëhet nga 20 instrumentistë së bashku me dirigjentin e saj, të cilët paguhen nga buxheti i bashkisë, ndërsa pagesat e 4 instrumentistë të tjerë mbulohen nga sponsorët dhe bizneset.

M.B.