Nga nesër, bulevardi “Epidamn”, i njohur ndryshe dhe si Rruga Tregtare do të kthehet në pedonale në orët e mbrëmjes.

Përgjatë këtij aksi, duke nisur nga Prefektura deri tek Torra Veneciane, nga ora 19.00 deri në orën 23.00 do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i mjeteve, duke nisur nga data 29 qershor dhe deri më 15 shtator. Ndërkohë, qarkullimi i automjeteve do të spostohet në akse alternative, të cilat përgjatë këtyre dy muajve e gjysëm do të përballen me fluks lëvizjeje.

“Rruga “Karl Topia” dhe rruga “Gjergj Komnino”, me një sens lëvizje (ngjitja drejt Vilës së Zogut)

Rruga “Telha Çela” dhe rruga “11 Dëshmorët e Stanit”, me një sens lëvizje (zbritja në drejtim të Muzeut të Dëshmorëve) do të përdoren si rrugë alternative”,– tha shefi i sektorit të qarkullimit në Policinë Bashkiake Durrës, Ervis Quku.

Në disa rrugë të tjera do të ndalohet parkimi i automjeteve në njërin krah të lëvizjes përgjatë orarit 19:00-23:00 si më poshtë:

a)​Rruga “Anastas Durrsaku” (Segmenti nga Kisha Ortodokse – Shkolla Gjergj Kastrioti), ndalim parkimi i automjeteve

b)​Rruga “ Hysen Matlija” dhe Rruga “Mbretëresha Teuta” (Shkolla Italiane), ndalim parkimi i automjeteve nga një krah lëvizje

c)​Rruga “Karl Topia” dhe rruga “Gjergj Komnino”, ndalim parkimi i automjeteve nga një krah lëvizje

Njëkohësisht në një tjetër aks të rëndësishëm të qytetit, në rrugën “Taulantia” do të ndalohet parkimi i automjeteve përgjatë gjithë ditës në njërin krah të rrugës (segmenti nga karburant “Kastrati” –  kryqëzimi i shkollës italiane).

Bashkia u bën apel drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve që të lënë makinat dhe të shijojnë shëtitjet në këmbë në bulevardin kryesor të Durrësit në këto mbrëmje verore.

M.B.