Dy janë emrat më të lakuar: ish-prefekti i qarkut dhe sekretar organizativ i degës “rozë”/”lejla” Gëzim Agasi dhe Alban Ramohitaj. Por mund të ketë befasi të tjera pas një konsultimi me selinë qendrore
DURRËS, 23 shtator 2013 – Kryetari ri i këshillit bashkiak të Durrësit do të jetë nga PS-ja, të martën më 24 shtator 2013 shumica e re e krijuar pas koalicionit të 1 prillit 2013 do të mblidhet në një seancë për një rokadë në krye të “parlamentit” të qytetit nr. 2 të Shqipërisë.
RAPORTET
Ndonëse ish-kryeministri Sali Berisha duhej të shpërndante qysh në prill 2013 këshillin bashkiak, që nuk ishte mbledhur prej tre muajsh, sikurse ia kërkuan këshilltarët e djathtë, këshilli bashkiak i Durrësit do të zhvillojë një mbledhje të tij, ku do të caktohet kryetari i ri dhe do të rizgjidhen përfaqësuesit e mazhorancës së pas 1 prillit (PS plus LSI) në këshillin e qarkut të Durrësit. Deri në mbledhjen e fundit, më 11 janar 2013, këshilli bashkiak me 45 anëtarë, kishte këtë përbërje: 24 koalicioni i djathtë (14 PD, 4 LSI, 4 PDIU, 2 PR), 21 koalicioni i majtë (18 PS, 1 PDS, 1 PSV, 1 PDK). Me largimin e LSI-së, 4 këshilltarët e saj kalojnë në koalicionin e majtë, kurse 1 i PDK-së mund të kalojë djathtas nëse ka urdhër nga qendra. Kështu, raportet vendosen të tilla: grupi i majtë arrin në 24/25 këshilltarë, kurse i djathti 20/21 këshilltarë. Nga ana tjetër, nga informacionet konfidenciale që ka “Dyrrah”-u, ende nuk është përcaktuar emri i atij që do të jetë kryetar i këshillit bashkiak. Rreth orës 18 është caktuar një mbledhje e strukturave të PS-së për të vendosur përfundimisht në minutat e fundit. Dy janë emrat më të lakuar: ish-prefekti i qarkut dhe sekretar organizativ i degës “rozë”/”lejla” Gëzim Agasi dhe Alban Ramohitaj. Por mund të ketë befasi të tjera pas një konsultimi me selinë qendrore.
NEGOCIATA PËR QARKUN
Po kjo mbledhje e 24 shtatorit do të rizgjedhë përfaqësuesit e tij në këshillin e qarkut. Kësisoj, ndryshon dhe përbërja e këshillit të qarkut, prej 46 anëtarësh, ku aktualisht bashkia e Durrësit përfaqësohet nga kryetari Vangjush Dako (Aleanca për të ardhmen) dhe 7 këshilltarë të djathtë (4 nga PD: Armand Teliti, Zamir Ramadani, Klodian Pajuni, Eglantina Bekteshi; 1 nga PR: Dilaver Tepelena; 1 nga PDIU: Fatmir Voloti; 1 nga LSI: Vasip Habili). Me përjashtim të përfaqësuesit të LSI-së, 6 të tjerët e djathtë, po të përdorim një shprehje të ish-kryeparlamentares Jozefinë Topalli, “shkojnë për lesh”, me në krye njëshin aktual, Armand Teliti, që nuk do të zgjidhet më si përfaqësues i këshillit bashkiak Durrës. Megjithatë, e majta do ta ketë të vështirë të marrë drejtimin e këshillit të qarkut, sidomos pas ikjes së ish-kryetarit të komunës së komunës së Thumanës që u bë deputet i PS-së, kurse në vend të tij fitoi një përfaqësues i djathtë pas zgjedhjeve të pjesshme. Gjithashtu në këshillin aktual të qarkut janë edhe 2 përfaqësues të PDK-së, që deri tani ishin me aleancën e majtë dhe nuk dihet se me kë do të bashkohen. Parashikohen negociata të ndërlikuara nëpër komuna.
ANALIZË
“Dyrrah”-u ka mësuar se deri sa është emetuar ky informacion, në mbledhjen e 24 shtatorit parashikohet një bojkot nga përfaqësuesit e PD-së, por nuk përjashtohet se 2-3 këshilltarë të aleatëve të saj mund të marrin pjesë në mbledhje. Gjithsesi, PD-ja është në një situatë aspak të lakmueshme pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, problemeve që dolën gjatë zgjedhjes së kryetarit të ri të PDSH-së dhe diskutimeve për zgjedhjet e kryesisë vendore të selisë “blu”. Në të vërtetë, edhe ky këshill bashkiak, nëse kryeministri i ri Edi Rama do të zbatojë ligjin, duhet shkrirë dhe zhvilluar zgjedhje të reja jo vetëm në Durrës, por edhe në Tiranë. Paraardhësi i tij Sali Berisha nuk e bëri këtë edhe para 23 qershorit, pasi nuhati se me largimin e LSI-së më 1 prill 2013, PD-në e priste një disfatë e rëndë në prag të 23 qershorit me zgjedhjet e pjesshme vendore për këshillat bashkiakë. Kryebashkiaku i kryeqytetit dhe kryetar i PDSH-së Lulzim Basha është përballë një sfide tejet të rëndë për të përballuar post-Berisha-23 qershorin.
Info
Sipas Qendrës për Çështje të Informimit Publik, INFOÇIP, që ka monitoruar këshillin bashkiak Durrës, gjatë periudhës nën monitorim, 26 korrik 2012-12 korrik 2013, këshilli bashkiak i Durrësit zhvilloi një veprimtari të reduktuar vendimmarrëse, për arsye që mbeten për t’u shpjeguar prej vet atij. Nga monitorimi rezulton se gjatë 12 muajve këshilli bashkiak u mblodh vetëm tri herë në seancë plenare, respektivisht më 1 tetor 2012, 5 nëntor 2012 dhe nj herë të fundit më 11 janar 2013. Që nga kjo datë këshilli nuk u mblodh më në seancë të rregullt, duke bërë që të shkelet si fillim neni 31, pika “e” e Ligjit nr. 8652, të ndryshuar, që përcakton shprehimisht se “mbledhjet e radhës së këshillit bashkiak zhvillohen si rregull jo më pak se një herë në muaj”. Më 11 prill 2013, këshilli bashkiak Durrës kapërceu edhe limitin e fundit ligjor prej tre muajsh radhazi pa u mbledhur në seancë, duke konsumuar kështu rrethanën ligjore të parashikuar për vetëshpërndarjen e tij, siç parashikohet qartë në nenin 38 “Shpërndarja e parakohshme e këshillit”, ku, në pikën 1 të tij, germa “a” thuhet shprehimisht se “këshilli komunal ose bashkiak shpërndahet para kohe me VKM kur nuk mblidhet për një periudhë të vazhdueshme tremujore”. Po ashtu edhe neni 31 “Funksionimi i këshillit”, pika 8 përcakton shprehimisht se “kur këshilli nuk mblidhet për shkak të mungesës së anëtarëve të tij gjatë tre muajve, duke filluar nga data e mbledhjes së fundit të tij, këshilli quhet i vetëshpërndarë. Vetëshpërndarja pasohet më zgjedhje të reja për këshillin përkatës dhe sekretari i këshillit komunal ose bashkiak, brenda 40 ditëve nga përfundimi i afatit 3-mujor, njofton prefektin”. Më 19 prill 2013 sekretarja e këshillit bashkiak, me një shkresë të sigluar edhe nga kryetari i këshillit, me nr. prot. 2114, ka njoftuar prefektin për situatën në fjalë (shih faksimilen e INFOÇIP-it). Kjo korrespodencë zyrtare është konform kërkesave të ligjit dhe brenda afateve që lë në dispozicion pika 8 e nenit 31, fjalia e dytë. Gjatë periudhës nën monitorim, këshilli bashkiak Durrës nuk realizoi as vendimmarrjet për Paketën fiskale 2013 (taksat dhe tarifat vendore) dhe për buxhetin 2013 (pagat e administratës, investimet publike etj.). Këto janë në fakt dy vendimmarrjet më të rëndësishme vjetore të tij. Mosrealizimi i vendimmarrjes për buxhetin posaçërisht çon gjithashtu në shpërndarjen e parakohshme të këshillit bashkiak. Kjo parashikohet nga neni 38, pika 1, germa “b”, ku shprehimisht thuhet se “këshilli shpërndahet me VKM kur nuk arrin të marrë vendim për miratimin e buxhetit brenda tre muajve nga data e përcaktuar në nenin 49 të këtij ligji”. Më 12 korrik 2013 u mbushën gjithashtu plot 6 muaj nga hera e fundit kur këshilltarët e Durrësit morën pjesë në një mbledhje të këshillit (11 janar 2013). Neni 27 i Ligjit 8652 i ndryshuar, në pikën 4, germa “e” përcakton shprehimisht se “mandati i këshilltarit mbaron para afatit, me propozim të komisionit të mandateve kur nuk merr pjesë në mbledhjet e këshillit për një periudhë 6-mujore”. INFOÇIP-i shpalli rezultatet e këtij monitorimi më 13 korrik, pikërisht një ditë pas skadimit edhe të këtij afati, i cili aplikohet në këtë rast mbi këshilltarin si subjekt individual dhe jo mbi këshillin si etnitet.
Rekomandim parësor
INFOÇIP-i rekomandon njohjen zyrtare nga autoritetet eprore të vetëshkrirjes së këshillit bashkiak (shpërndarja nga organi kompetent) për shkak të mosushtrimit të funksioneve për periudha përtej afateve ligjore; thirrjen e zgjedhjeve të reja për këshillin bashkiak të Durrësit në një kohë sa më të shpejtë të mundshme, në përputhje me Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë; në periudhën nga data e zgjedhjeve e deri në konstituimin e këshillit të ri, këshilli i vetëshpërndarë të vijojë ushtrimin e funksioneve të kufizuara dhe të bëjë vendimmarrje vetëm në raste emergjente, siç parashikon neni 31/6 i Ligjit nr. 8652. (Marrë nga broshura “Ligjshmëria, transparenca dhe pjesëmarrja e publikut në vendimmarrjen e këshillit bashkiak Durrës. Periudha e monitorimit korrik 212- 2013”. Mbështetur nga National Endowment for Democracy, NED, Washington D.C.)
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





