DURRËS, 23 nëntor 2013 – Po bëhet shqetësuese përfshirja e të miturve në botën e krimit, sikurse ka ndodhur ditët e fundit me një 14 vjeçar dhe një 17-vjeçare. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrës-Krujës njofton se të premten, më 22 nëntor 2013, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për L. H., 14 vjeç, me banim në Durrës. Blutë thonë rreth orës 16.00, në lagjen nr. 18 Durrës, i mituri ka hyrë në mjediset e shkollës së mesme “Naim Frashëri”, në katin e dytë, ku ka marrë 10 skelete karrigesh, të cilat më pas i ka shitur. Kurse të enjten më 21 nëntor 2013, është zbardhur ngjarja e ndodhur më 24 shkurt 2012, kur persona të paidentifikuar në lagjen nr. 4 Durrës kanë vjedhur agjencinë e udhëtimit “Orind”. Nga puna hetimore rezulton se bashkëpunëtore në këtë ngjarje është E. S., 17 vjeçe, banuese në Tiranë. Po punohet për kapjen e saj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





