DURRËS, 15 nëntor 2013 – Për rreth 30 minuta  rreth 2 mijë të rinj studentë, gjimnazistë, qytetarë, e përfaqësues të shoqërisë civile kanë bllokuar  portën hyrëse numër një të portit të Durrësit, duke mos lejuar hyrjen e asnjë automjet e personi. Protesta kundër armëve kimike ka startuar që prej orëve të para të mëngjesit në qytetin e Durrësit dhe ka kulmuar në orën 13 e 30 minuta, me mbërritjen e të gjimnazistëve të shkollave, të cilët me një pankartë të madhe kanë marshuar prej sheshit Liria para bashkisë, në rrugën Tregtare e janë ndalur para portit duke bllokuar në mënyrë totale hyrje daljen për rreth 30 minuta. Nën thirrjet “Jo armëve kimike”, të rinjtë i bënë apel kryeministrit Edi Rama të hiqte dorë nga vendimi për të pranuar importimin e lëndëve kimike të Sirisë. Sipas tyre “porti i Durrësit, është piketuar si porta ku këto lëndë do të hynin në Shqipëri, dhe të rinjtë, kurrsesi nuk do ta lejojnë futjen e tyre. Nëse Edi Rama i thotë po, i gjithë populli durrsak, dhe të rinjtë do të bëhen barrikadë përpara dyerve të portit e nuk do të lejojnë hyrjen e tyre”. Në mënyrë paqësore protestuesit janë rikthyer sërish në sheshin Liria, duke bllokuar plotësisht trafikun ndërsa kanë kryer marshim proteste në  rrugën Tregtare, e në Bulevardin “Dyrrah”, në rrugën “A. Goga”, unazën e qytetit etj. Protestuesit nuk janë ndalur deri në mbrëmje deri sa Kryeministri deklaroi se Shqipëria nuk do ti pranojë për demontim armët kimike të Sirisë.

/k. h. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/