DURRËS, 7 dhjetor 2014 –  Një dalje nga shinat e lokomotivës te mbikalimi i Urës së Dajlanit të dielën herët në mëngjes bllokoi hyrje-daljet e trenave të udhëtarëve nga stacioni i Durrësit.

Burime nga drejtoria e përgjithshme ekzekutive të ndërmarrjes shtetërore Hekurudha Shqiptare sha bëjnë të ditur se në orën 3:25 të mëngjesit të së dielës, më 7 dhjetor 2014, lokomotiva me nr. 1046 e trenit me 17 vagonë skrap importi, doli me tre akse nga linja, pikërisht në mbikalimin në Urën e Dajlanit.

Shpejtësia e vogël (as 5 km në orë) bëri që fatmirësisht të mos ndodhte ndonjë aksident i rëndë me përmbysje vagonësh. Shkak është amortizimi i linjës.

Në vendngjarje kanë shkuar drejtues të HSH sha, ndërkohë që punonjësit e infrastrukturës kanë mundur të vendosin lokomotivën në linjë, e cila u hap përfundimisht rreth orës 12:10. Mësohet se treni me 17 vagonë të ngarkuar me skrap u nis në drejtim të kombinatit metalurgjik të Elbasanit në orën 12:30.

Kjo ngjarje solli bllokimin e tre trenave të udhëtarëve nga Durrësi dhe hyrjen e të tjerëve, që i zbritën udhëtarët e pakët në Shkozet. Treni i udhëtarëve për Shkodër, që duhej të nisej në orën 7:20, doli nga stacioni i Durrësit në orën 13:00; ai në drejtim të Vlorës në orën 13:25 dhe treni për Elbasan parashikohej në orën 15:10.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/