DURRËS, 13 qershor 2014 – Mësohet se më 16 qershor 2014 bashkia e Durrësit do të zhvillojë tenderin për rivitalizimin e sheshit të vogël para degës së Bankës Tirana, që kufizohet me rrugën “Kristaq Rama” dhe Rrugën e Dëshmorëve, ose më saktë vendin e dikurshëm të prezantimit të qytetit para pallatit të Dovanës.
Realizimi i projektit do të zgjasë 75 ditë.
Në fakt, kemi të bëjmë me përsëritje tenderi, pasi më 7 maj 2014 ai u anulua “për shkak të mungesës së konkurrencës”, sikurse njoftoi administrata e qytetit.
Nuk dihet pse fondi nga të ardhurat për shpenzime kapitale, i futur në projektbuxhetet e viteve 2012-2014 me vlerë 5 milionë lekë, u pakësua dhe u bë 4 165 700 lekë.
Ndërkohë, të nesërmen e tenderit për sheshin te Dovana, më 17 maj 2014, do të zhvillohet procedura e prokurimit me fond limit 3 118 552 lekë për restaurimin dhe ndriçimin e mureve të kalasë.
Realizimi i këtij investimi parashikohet të zgjasë 21 ditë, thotë bashkia.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





