Policia Rrugore e Durrësit ka goditur një tjetër rast të tentativës për korrupsion ndaj punonjësve të saj, duke e çuar në 23 numrin e drejtuesve të automjeteve të arrestuar ose proceduar për këtë vepër penale.

Në pranga është vënë një 24-vjeçar nga Kosova, i identifikuar me inicialet A. A., i cili drejtonte një kamion në aksin “Tiranë–Durrës”. Gjatë lëvizjes, ai u konstatua nga shërbimet e Policisë duke përdorur aparatin celular, duke rrezikuar sigurinë e tij dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Në momentin që u ndalua nga policia, i riu ka tentuar të korruptojë efektivët duke u ofruar para, me qëllim shmangien e masës administrative.

Njoftimi i policisë:

Goditet një tjetër rast i tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.

Shkon në 23 numri i drejtuesve të automjeteve të arrestuar ose proceduar për këtë vepër penale.

Drejtonte kamionin duke përdorur aparatin celular, duke u kthyer në rrezik për përdoruesit e rrugës, dhe tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore, për të shmangur masën administrative për shkeljen e kryer.

Procedohet penalisht 24-vjeçari A. A., banues në Kosovë.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit, gjatë monitorimit të akseve rrugore për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë, ndaluan në aksin “Tiranë–Durrës”, drejtuesin e një kamioni që po përdorte celularin gjatë lëvizjes.
Në momentin e ndalimit, ai i ka ofruar para punonjësit të Policisë, me qëllim shmangien e ndëshkimit.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 24 vjeç, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje, duke garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm nga shërbimet e Policisë.