Durrës, 6 shator 2014  –  Tentativa e vrasjes, e ndodhur ditën e djeshme në lagjen Nr.13 Plazh, ka çuar në pranga 7 shtetas.

Policia e Durrësit bën të ditur se mesnatën e së premtes ka vënë në pranga shtetasit E.Gërguri,  17 vjeç, dhe Enea Merollari, 18 vjeç, të dy banues në lagjen nr.13.

Ditën e premte, rreth orës 13.40, të dy këta shtetas kanë tentuar të vrasin me armë zjarri automatik shtetasin B.I.,  18 vjeç, banor i së njëjtës lagje, duke i shkaktuar  plagë të rënda.

I dëmtuari aktualisht vijon të marrë trajtim në Spitalin Ushtarak ku ndodhet në gjendje të rëndë. Pas ngjarjes, E.Gërguri është larguar së bashku me armën e krimit për t’iu shmangur përgjegjësisë penale. Kapja e tij është realizuar pas disa orë pune intensive, në qytetin e Burrelit. Ndërkohë Enea Merollari është kapur në qytetin e Durrësit.

Autori i dyshuar E.Gërguri dhe i plagosuri kanë qenë të përfshirë në një konflikt të mëparshëm me njëri-tjetrin,  pasi me datë 05.04.2013  17 vjeçari Gërguri ka plagosur rëndë me thikë 18 vjeçarin, vepër për të cilën është arrestuar, gjykuar dhe dënuar.

Lidhur me këtë tentativë vrasjeje, policia ka arrestuar edhe shtetasit Johan Bardhi, 20 vjeç, banues në Durrës, Arledo Mallunxa, 24 vjeç, banues në Burrel, Adnan Kurti, 24 vjeç, banues në Burrel, Asel Sukaj, 22 vjeç, banues në Durrës dhe Denis Sulçe, 23 vjeç, banues në Tiranë.

Të pestë këta shtetas dyshohet se kanë ndihmuar dhe përkrahur autorët e tentativës së vrasjes së shtetasit B.I. për t’iu shmangur hetimit.

Dy personat e përfshirë në këtë tentativë vrasjeje, 17 vjeçari E.G. dhe Enea Merollari akuzohen për “Vrasje me dashje mbetur në tentativë, në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armeve dhe municioneve luftarake”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/