DURRËS, 23 janar 2014 –Pas një pauze të shkurtër, dukuritë tektonike po i vijnë rrotull Durrësit, teksa lëkundjet e tokës te Kthesa e Ariut ndihen dhe në qytetin bregdetar, në pikë të mëngjesit, teksa banorët ende po flinin. Rrjeti sizmologjik shqiptar njofton se më 23 janar 2014, ora 4:30:11 (koha e Londrës) ose ora 5:30:11 (koha e Shqipërisë, një orë plus), është regjistruar një tërmet i lehtë me forcë M=3 dhe epiqendër në thellësinë 23 km. Departamenti i sizmologjisë e lokalizon 12 km në vijë ajrore në veri të qytetit të Durrësit (shih etiketën në hartën nr. 1, pika e kuqe, pikat blu janë tërmete të mëparshme, ora sipas Londrës) në koordinatat 41.42°V, 19.55°L. Më saktësisht, ngjarja sizmike ka ndodhur në territorin e bashkisë së Sukthit, 6 km më në verilindje të qytezës, te vendi i quajtur Kthesa e Ariut (fshati Kullë), midis pikës së karburantit ish-“Taçi-oil” dhe fabrikës së qumështit “Primalat” (shih hartën nr. 2 dhe foton satelitore, shigjeta e gjelbër). Nuk ka raportime zyrtare për viktima apo dëme materiale.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/