DURRËS, 21 shkurt 2014 –  Bojkotit të opozitës për reformën territoriale të Edi Ramës iu “bashkua”, më 21 shkurt 2014, edhe kryetari i bashkisë nr. 2 të Shqipërisë, anëtari i kryesisë së PSSH-së, Vangjush Dako. Në orën 11:00 të së premtes, 21 shkurt 2014, prefekti qarkut të Durrësit Rolant Xhelilaj organizoi mbledhjen e parë për ngritjen e grupit rajonal të punës për zbatimin e reformës administrative pranë institucionit të prefektit të qarkut. Kishin ardhur si të ftuar ish-drejtues të pushtetit vendor të Durrësit në vitet 1991-2006, përfaqësues të shoqatës “Durrësi”. Ishin të pranishëm koordinatori teknik rajonal Ilirjan Nastasi (sekretar teknik), anëtarët e grupit rajonal: Alfred Mullaraj, kryetar i këshillit të qarkut (PS); Indrit Buka, kryetar i bashkisë së Shijakut (PS); Perlat Çullhaj, drejtor i policisë së shtetit për qarkun; Linditë Mukaj, drejtore rajonale e arsimit; Valbonë Sako, drejtore rajonale e tatim-taksave; Kristaq Huta, drejtor rajonal i shëndetësisë; Vasip Habili, drejtor rajonal i bujqësisë, zhvillimit rural dhe administrimit të ujërave. Mungonin tre anëtarët e grupit: kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako (PS); kryetari i bashkisë së Krujës, Shkëlzen Hoxha (PD); Bujar Huqi, kryetari i bashkisë së Manzës (PD). Prefekti Xhelilaj tha publikisht se, ndonëse opozita nuk është kundër reformës territoriale, mungesa e kryetarit të bashkisë së Krujës ishte bojkot për qëllime politike. Xhelilaj përmendi se kryetari tjetër i bashkisë së PD-së për Manzën, Bujar Huqi, mungonte për arsye objektive. Nuk tha asgjë për mungesën e kryetarit socialist të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Vetëm pasi përfundimit të mbledhjes, i pyetur nga “Dyrrah”-u me SMS, Prefekti i qarkut të Durrësit Rolant Xhelilaj sqaroi, në orën 13:04, se “Vangjushi (Dako) dhe Bujari (Huqi) i Manzës kishin arsye objektive”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/