Durrës, 8 mars 2014– Teuta e pafat edhe një herë, pasi i ikën në sekondat e fundit të shtesës tre pikëshi nga duart. Edhe pse durrsakët kanë qenë në avantazh të një goli të shënuar nga Daniel Xhafaj nuk arrijnë të ruajnë deri në fund rezultatin që do t’i jepte tre pikët në përballjen me Partizanin. Djemtë e detit kanë dalë nga stadiumi “Niko Dovana” me vetëm një pikë që për mënyrën si rrodhën ngjarjet ishte një humbje për Teutën, që meritonte fitoren në një ndeshje plot tension dhe ku durrsakët luajtën 15 minutat e fundit me 10 lojtarë pas kartonit të kuq për Samb. Luftë e fortë sportive, por edhe tension në shkallët e stadiumit të Durrësit mes dy tifozerive. Megjithatë, skuadrat kanë ndarë nga një pikë mes tyre pas rezultatit 1-1. Fillimisht ka shënuar Teuta me anë të Daniel Xhafajt, ndërsa në limitin e ndeshjes ka barazuar gjithçka Nderim Nexhipi për të kuqtë. Në “Niko Dovana” ka pasur edhe një karton të kuq, akorduar për Samb të durrsakëve, i cili i ka ndërhyrë nga pas, Nexhipit.
Ndeshja Teuta – Partizani që para se të niste ka qenë e tensionuar. Pas konfrontimit të tifozerisë së Partizanit me policinë, kanë filluar dhe konfrontimet në distancë midis dy tifozerive. Në fillim të lojës kapitenët e skuadrës së Teutës dhe Partizanit janë munduar t’i qetësojnë tifozeritë dhe më pas ka filluar loja. Gjatë lojës ka patur sërish konforntime në distancë midis “Djemtë e Detit” dhe “Ultras Guerrils”, sharje dhe kërcënime.
Gjyqtari i takimit, në pjesën e dytë ka ndërprerë disa herë ndeshjen, për shkak të koreve ofenduese të dy tifozerive të pranishme në stadium. Një sfidë që ka pasur shumë incidente në fillim të ndeshjes dhe gjatë takimit. Në fund gjithçka ka përfunduar në barazim ku Teuta edhe pse me 10 lojtarë është sërish e pafat, pasi nuk arrin të marrë tre pikëshin që thuajse e kishte hipotekuar .
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





