DURRËS, 30 janar 2015 –  Me gjithë shirat, porti i Durrësit ka 3 ditë që vuan “thatësirë” anijesh mallrash, duke përjashtuar “Chang Qiang”-un, një transportues gjigant kinez të mallrave të derdhura / rinfuso (termi anglisht: “bulk carrier”), i cili u bregëzua në portin e Durrësit, të enjten, më 29 janar 2015, ora 7:20 (fotoja e Ed Gjatës është marrë në ora 9:50, më 29 janar 2015). 

Transoqeaniku “Chang Qiang”, me peshë të vdekur të anijes (termi ndërkombëtar është dhe shqiptohet “deduejt”, anglisht: “deadweight”) 45 759 tonë, me flamur kinez dhe port regjistrimi Hong Kongun, do të ngarkojë për Egjipt 25 mijë tonë klinker, prodhuar në fabrikën e çimentos “Antea Cement” (Fushë-Krujë). 

Transportuesi me gjatësi 186 m dhe gjerësi 30.4 m po përpunohet në kalatën nr. 11 të Terminalit Lindor (koordinatat 41.307° V, 19.449° L, shih hartën, drejtkëndëshi me shigjetë, i gjelbër) me 4 elektrovinça. Ndonëse është me përmasa gjigante, kjo anije nuk paraqet problem për akuatoriumin e portit, pasi ka një zhytje prej 5,7 metra. Është ndërtuar në kantierin detar “Tsuneishi Shipbuilding” në Fukujama të Japonisë në vitin 1998, në pronësi dhe menaxhim të kompanisë “Cosco HK Shipping” në Hong Kong.

Që nga fillimi i muajit janar në Terminalin Lindor janë ngarkuar me klinker edhe anijet “Thea K” (16 000 tonë) dhe “Sider Luck” (20 500 tonë), tha drejtoria e përgjithshme ekzekutive e Autoritetit Portual Durrës.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”, kontribuoi g. k./