Mbrëmje emocionuese ishte ajo e djeshmja në ambientet e pallatit të sportit në Durrës.

Eventi i organizuar nga “Titans Fight” ishte një spektakël i ndërthurur me muzikë, ndeshje boksi, kickboksi, si dhe humor.

Boksieri shqiptar, Nelson Hysa u ndesh me një prej boksierëve me të fortë britanik në peshat e rënda.

Danny Williams, që nxorri në pension Mike Tyson dhe i shpallur dy herë kampion i Anglisë, u mund me pikë nga Nelsoni pas një dueli të fortë.

Williams njoftoi tërheqjen nga boksi pas humbjes.

Alban Beqiri mundi gjithashtu kundërshtarin e tij, Pal Olah nga Hungaria.

Ai e hodhi në tapet që në raundin e parë, pa i dhënë asnjë shans që të vijonte duelin.

Mendova se kundërshtari im do qëndronte të luftonte, por ai sapo i dhashë disa goditje e kuptoi se po rrezikonte. Prandaj unë ushtrova presion ndaj tij derisa e bëra të dorëzohej ”, tha Beqiri pas fitores.

Për boksierët, ndeshjes ia shtonte vlerën fakti se të ardhurat e fituara do të ishin dhuratë për shtëpinë e fëmijës.

Krahas tyre, në ring u ngjitën emrat më të njohur të botës së muzikës dhe humorit.

Noizy, 2 Ton, Kastriot Tusha, Salsano Rrapi, Ledio Lako dhe Irgen Çela dhuruan spektakël në eventin, që si qëllim kishte kauzën e bamirësisë.

K.Gj.