Durrës, 26 maj 2014 – Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së dielës në qytetin e Durrësit. Pas therjes me thikë të bashkëshortit nga 25 vjeçarja Vanesa Aliraj, në një piceri në lagjen nr. 6, një ngjarje e ngjashme është regjistruar në një piceri në lagjen nr.4 pak orë më vonë.
Sipas policisë së Durrësit, 21 vjeçari Rexhino Shqopa, nga Durrësi, është shpallur në kërkim, pasi rreth orës 21.30 të mbrëmjes së djeshme ka debatuar ashpër me personelin e një picerie në lagjen nr.4 dhe më pas ka plagosur me thikë dy të rinj.
Mësohet se ngjarja e rëndë është shkaktuar pas një debati të lindur nga një konflikt i çastit.
Të plagosur me thikë kanë mbetur shtetasit E.A., 18 vjeç, banues në Shkallnur dhe M.Sh., 27 vjeç, banues në Tiranë, të cilët ndodhen në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin tip Fiat Punto me targa AA 646 IX, i cili është përdorur nga autori i plagosjes. Efektivët e rendit po punojnë për kapjen e tij. 21 vjeçari Rexhino Shqopa akuzohet për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”.
Kujtojmë se po dje, rreth orës 18.30, 25 vjeçarja Vanesa Aliraj plagosi bashkëshortin e saj 27 vjeçar me thikë në një piceri. Edhe në këtë rast u raportuar se ngjarja pati si shkak një konflikt të çastit mes çiftit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





