Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë doli sot me një komunikatë për shtyp lidhur me rastin e incidentit të regjistruar në orët e para të mëngjesit në portin e Durrësit. Ndërsa shpjegon dinamikën e përplasjes së tragetit “RIGEL III” me kalatën nr.8, Ministria sqaron se është ngritur grupi i punës për hetimin e incidentit të ndodhur dhe u morën masa për riparimin e dëmeve.

Ndërkohë, pasagjerët do të udhëtojnë mbrëmjen e sotme drejt Italisë.

Njoftimi i Ministrisë:

Në datë 9.12.2021, rreth orës 01:43, në terminalin e trageteve në Portin e Durrësit, gjatë manovrave për të dalë nga porti, trageti i linjës Bari-Durrës, “RIGEL III”, si pasojë e keqfunksionimit të sistemit të transmetimit të komandës, ka goditur kalatën nr.8 në pjesën e kiçit në bordin e djathtë, duke shkaktuar një dëmtim dhe çarje të skafit.

Autoritetet përkatëse morën masat në vazhdimësi, në bashkëpunim me organet e tjera ligjzbatuese në port, për menaxhimin e situatës me pasagjerët, duke i sistemuar gjatë natës në dhoma dhe qëndrim të sigurtë në kalatë në terminal. Agjencia detare ka kompensuar pasagjerët për biletat që kishin prerë dhe ka mundësuar nisjen e tyre me tragetin “RIGEL 7” sot në mbrëmje! Është ngritur grupi i punës për hetimin e incidentit të ndodhur dhe u morën masa për riparimin e dëmeve.