- Për disa ditë rresht specialistë amerikanë të EXBS trajnuan efektiva të Policisë sonë Kufitare në portin e Durrësit
Nga Shefqet Kërcelli
U mbyll sot, 14 prill 2017, në Portin e Durrësit, trajnimi i veçantë me efektiva të Policisë Kufitare të gjithë vendit për identifikimin dhe kapjen e automjeteve të vjedhura që hyjnë në doganat e postat tona kufitare. Gjatë kursit për ndalimin e mjeteve motorike të vjedhura u trajtuan çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me rrugët hyrëse të automjeteve të vjedhura, kontrollin e dokumentacionit, denoncimin dhe reklamimin e këtyre automjeteve, bashkëpunimin me policitë homologe, grumbullimin dhe kryerjen e procedurave përkatëse, etj.
Të gjitha këto çështje ju shpjeguan gjerësisht në teori dhe praktikë policëve tanë nga specialisti i EXBS në vendin tonë, zoti Christopher. Kështu pjesëmarrësit u njohën me shenjat identifikuese të automjeteve të vjedhura, mënyrat se si kruhet vjedhja, mundësitë e kontrollit dhe treguesit kryesorë. Për këtë u pa konkretisht në terren identifikimi i makinave të vjedhura sipas markave kryesisht ato perëndimore si, Audi, VW, BMW, Mercedes, BUS, kamiona bashkë me rimorkio, etj.
Vlerat dhe rëndësinë këtij seminari ia shtuan mësimi i përdorimit të aparaturavë të veçanta “Autel” që përdoren në këto raste. Janë disa aparatura speciale të dhuruara nga Departamenti i Shtetit nëpërmjet programit EXBS, me vlerë rreth 22 mijë $, të cilat do rrisin efikasitetin e kontrollit në pikat kufitare dhe doganat tona, në korridoret kryesore të vendit.
Këto ndihmatë ardhura këto ditë për Policinë tonë Kufitare ku, futen dhe pajisje motorike, janë pjesë e programit për Kontrollin e Eksportit dhe Sigurinë e Kufijve {EXPS}. Theksojmë se krahas programeve e projekteve të shumta të bashkëpunimit në të gjithë fushat të shtetit shqiptar me Departamentin e Shtetit të SHBA, nga viti 2003, ka filluar zbatimi i një programi të veçantë bashkëpunimi, i emërtuar shkurt EXBS, kryesisht Ministrinë e Brendshme, si rezultat i të cilit janë trajnuar qindra kuadro e specialistë të Policisë Kufitare, Doganës, Antikontrabandës, Policisë së porteve, aeroporteve, etj.
Gjithashtu në vijimësi janë dhuruar paisje, aparatura, mjete për shtimin e kapaciteteve operacionale, sigurisë dhe monitorimin e kufijve tanë. Nga momenti i fillimit të këtij projekti deri tani, strukturat tona të kontrollit të kufijve detarë, tokësorë e ajrorë, kanë përfituar 3.5 milionë $ ndihma.
Në fund të trajnimit, pjesëmarrës të ndryshëm vlerësuan rëndësinë e këtij seminari që i shërben direkt punës së tyre në terren, pozicionit që kanë dhe detyrave të përditëshme. Çështjet e trajtuara do rrisin nivelin e tyre profesional për diktimin e makinës së vjedhur bashkë me karakteristikat dhe kufizimin e këtij fenomeni në vendit tonë.
Ndërkohë zoti Christopher falenderoi personelin e këtij seminari për vëmendjen, interesimin e tyre në përvetësimin e programit të kursit, pyetjet dhe diskutimet, duke shprehur besim se, seminari i arriti objektivat e tij. Gjithashtu specialisti i EXBS, theksoi se paketa e ndihmave për strukturat e Ministrisë së Brendshme, ka qenë e vazhdueshme, por duhet të shohim dhe mundësitë e kostos dhe efikasitetit të tyre.
“Ne kërkojmë që personeli i trajnuar nga pala shqiptare të mësojë e instruktojë për këto çështje, pjesën tjetër që nuk ka mundësi të vijë këtu. Pra, ju të jeni instruktorë për të tjerët”,u shpreh zoti Christopher.
“Po ashtu, duke zhvilluar seminarin direkt në terren, afër vendosjes së policisë kufitare kursejmë kohë, lëvizje dhe kosto. Natyrisht programi i bashkëpunimit do të vazhdojë dhe në të ardhmen, në fusha më të nevojshme të organeve ligjzbatuese e të sigurisë në vendin tone”,përfundoi përfaqësuesi amerikan i EXBS.





