DURRËS, 14 tetor 2014 –  Drejtoria rajonale e kulturës kombëtare, në vijim të projektit që synon edukimin e brezit të ri me dashurinë për trashëgiminë kulturore, në bashkëpunim me drejtorinë arsimore rajonale, organizoi të premten e kaluar, më 10 tetor 2014, fazën e dytë të trajnimit të koordinatorëve të shkollave që kanë birësuar monumente.

Moduli përmbante 4 prezantime.

Drejtuesja e projektit Antigoni Gjergji shpjegoi mënyrën se si do të grumbullohen idetë e mbledhura nga fëmijët dhe të rinjtë, si do të grupohen në dy projekte komplekse për secilën shkollë; kriteret që duhet të plotësojnë këto projekte, në përputhje me frymën e  Mikut të Monumentit dhe cilat kompetenca duhet të fitojnë nxënësit gjatë realizimit te tyre.

Gjergji paraqiti shkollën e mesme “Leonik Tomeu”, që ka birësuar Muzeun Arkeologjik në bazë të konceptit të ri për muzeun dhe nevojës për bashkëpunimin e brezit të ri.

Përfaqësuesja e Muzeut Esmeraldë Shtjefni foli për mënyrat e përfshirjes së brezit të ri në Muze, krijimin e klubit të arkeologëve dhe dha ide të ndryshme projektesh për shkollën “Leonik Tomeu”.

Florinë Shani koordinatore e shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli” paraqiti faqen e re të Face Book-ut të  Rrjetit të Mikut të Monumentit.

Mito Kudaka shpjegoi përmbajtjen e formatit të dorëzimit të projektit e menaxhimin e tij, si dhe demonstroi kalendarin përkatës.

Shkolla e mesme profesionale “Hysen Çela”, me radion e saj “Radio green”, mori përsipër të jetë partner mediatik në aktivitetet e  Mikut të Monumentit, si dhe në promovimin e trashëgimisë jomateriale.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/