DURRËS, 27 shkurt 2015 – Të enjten, më 26 shkurt 2015, në mjediset e Drejtorisë së Administratës Detare, përfundoi trajnimi katërditor për parandalimin e ndotjeve nga anijet në det sipas konventës MARPOL (Meritime Pollution – Konventa Ndërkombëtare për parandalimin e ndotjeve nga anijet në det). Trajnimi i zhvilluar në zbatim të një projekti të Bashkimit Evropian, u organizua nga dega e asistencës teknike në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës (MTI). Në seminar morën pjesë kuadro dhe specialistë të institucioneve detare, si Drejtoria e Administratës Detare dhe kapitaneritë Sarandë, Vlorë, Shëngjin e Durrës, specialistë të mjedisit të Autoritetit Portual Durrës, Ministria e Mjedisit, Qendra Operacionale Detare, Komanda e Forcës Detare, etj.
Gjatë këtij trajnimi katërditor drejtuesi i seminarit Efthimios Liberopoulos, ekspert i trajnimeve detare, trajtoi çështje që kanë të bëjnë me njohjen dhe zbatimin e kësaj Konvente të rëndësishme për sigurinë e mjedisit detar si, njohuri të përgjithshme për Konventën MARPOL, masat parandaluese për ndotjen e ambientit detar nga anijet, reagimi ndaj sipërfaqeve ose zonave të ndotura detare, sistemet e antindotjes dhe eficensa e tyre, kontrolli dhe menaxhimi i ujërave të ballasteve dhe sedimenteve të anijeve, çështje të veçanta në zbatim të këtyre konventave dhe marrëveshjeve, certifikatat përkatëse të sigurisë detare në këto raste, etj. Trajtimi i thjeshtë e i detajuar i kësaj teme të rëndësishme detare, solli që dhe përvetësimi i çështjeve të këtij seminari nga pjesëmarrësit të jetë i kënaqshëm, gjë që u reflektua në ditën e fundit të tij, ku pati pyetje dhe diskutime interesante, veçanërisht nga specialistët e mjedisit të AP Durrës.
Elson Thana, specialist në degën e asistencës teknike të MTI-së, thotë:
“Projekti i BE-së për trajnimin e specialistëve të institucioneve detare është shtrirë për gjithë vitin. Seminari i parë u zhvillua në fund të janarit të këtij viti, ndërsa i fundit do jetë në nëntor. Kuptohet që tematika është e ndryshme nga muaji në muaj, ndërkohë që do shikohet dhe përbërja e pjesëmarrësve, në mënyrë që çështjet që trajtohen të përfarohen me detyrën funksionale që kryen secili në institucionet detare”.
Liberopoulos i tha agjencisë së lajmeve “Dyrrah”:
“Jam entuziast për zhvillimin e këtij projekti, shoh që ka seriozitet e përgjegjësi si nga dikasteri i MTI, nga organizatorët në Drejtorinë e Administratës Detare por dhe nga kuadrot apo specialistët në seminar. Ka interes, diskutohet e nxirren konkluzione nga pjesëmarrësit, gjë që e bën atë efektiv në qëllimin që ka. Në fund të fundit, është gjë e mirë që dhjetëra specialistë shqiptarë, detyra e të cilëve lidhet me veprimtarinë në det, do trajnohen gjatë këtij viti për çështje të rëndësishme të legjislacionit detar ndërkombëtar. Kjo situatë dhe mikpritja shqiptare më vendos para përgjegjësisë morale dhe akademike, që dhe unë si lektor të rris nivelin nga seminari në seminar. Ndërkohë që po më kërkon gruaja në telefon me zor pres kthimin tim në fund të marsit”.
Hamdi Domi, shef departamenti i regjistrimit të mjeteve detare në Drejtorinë e Administratës Detare dhe Efthimios Liberopoulos u dorëzuan certifikatat përkatëse pjesëmarrësve.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi ekskluzivisht me informacion dhe foto Shefqet Kërcelli/





