Durrës, 11 shtator 2014 – Sektori Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Durrësit ka prangosur në flagrancë 3 shtetas dhe një sasi prej rreth 20 kg kanabis sativa.
Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit “Speed”, ndërkohë që në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 2 automjete të përfshirë në transportimin e lëndës narkotike, nga të cilat një mjet i transportit të nxënësve të shkollës.
U arrestuan në flagrancë në orët e para të mëngjesit të sotëm shtetasit Dritan Barashima, 33 vjeç, banues në Tapizë Krujë, Imer Brama, 54 vjeç, banues në Boranë Krujë dhe Bajram Çangu, 53 vjeç, banues në Nikël.
Nga hetimi 1-mujor i policisë rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar sasinë e lëndës narkotike të cilën më pas do ta shisnin në tregun e brendshëm Krujë-Durrës.
Operacioni policor “Speed”
Pranë mbikalimit të Fushë Krujës, dy automjeteve, fuoristradë Rexton me targa AA710 JB, drejtuar nga Bajram Çangu dhe furgoni për transportin e nxënësve, me targa TR 8849 D, drejtuar nga Dritan Barashima, iu është bërë shenjë nga punonjësit e Policisë për ndalim.
Drejtuesi e mjetit fuoristradë nuk i është bindur urdhrit të Policisë dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të Ishmit ku edhe është kapur gjatë ndjekjes, ndërkohë që mjeti tjetër është ndaluar në vend.
Në mjetin furgon i cili shoqërohej nga fuoristrada është sekuestruar edhe sasia e lëndës narkotike, e cila dyshohet të jetë siguruar nga kultivimi në zonën e Niklës. U sekuestruan për llogari të hetimit edhe 6 telefona celularë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





