"Traviata" e  Xhuzepe Verdit, opera premierë u shfaq për artdashësit durrsakë mbrëmjen e shkuar në teatrin Aleksandër Moisiu. U konsiderua një sukses i vërtetë premiera nga spektatorët e shumtë të cilët ditë më parë kishin prenotuar biletat, duke shfaqur një interes shumë të madh për shfaqjen.

Artistët e TOB-it i kanë pritur me ngrohtësi duartrokitjet  dhe vlerësimet e publikut durrsak, që përjetoi drejtpërdrejt në sallë fuqinë dhe fatin e dashurisë së Violetës dhe Alfredos. Nën një interpretim brilant të artistëve dhe orkestrës simfonike të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, një nga historitë më të bukura të dashurisë, me libret të Francesco Maria Piave-s, bazuar në romanin “Zonja me kamelie” të Aleksandër Dumas, i biri, ka ardhur bukur te publiku i qytetit bregdetar që mbushte sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Përmes pasionit dhe historisë së dashurisë që ngërthen personazhet kryesorë dhe deri ata episodikë, opera “Traviata” dhuron emocion duke kapërcyer kohët dhe ardhur joshëse dhe intriguese para artdashësve. Dy protagonistët e saj, sopranoja Eva Golemi në rolin e Violetës dhe tenori Armaldo Kllogjeri në rolin e Alfredos flasin mbi Traviatën, rolet e tyre që mbajnë peshën kryesore në këtë vepër, por dhe përvojën në turin operistik që kanë nisur nëpër Shqipëri që sezonin e kaluar artistik, tur që do të vazhdojë.

Sezoni i ri artistik shtator-dhjetor u hap me Durrësin për të vijuar javën tjetër me Korçën. Është hera e parë që Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit vjen në Durrës me një vepër operistike e cila do të shfaqet edhe mbrëmjen e së dielës në teatrin e Durrësit, për të shtegtuar më pas drejt Korçës, si pjesë e turit operistik që nisi pranverën e kaluar.

K.H.