Sekuestrohen Cannabis Sativa dhe fishekë në Durrës, përfundon në pranga një shtetas.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës së tyre për parandalimin e rasteve të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, ditën e djeshme kanë goditur një tjetër rast.

Është arrestuar në flagrancë shtetasi Gjon Brahe 57 vjeç, banues në Bizë, Ishëm Durrës.

Në bazë të informacioneve të siguruara nga Strukturat Policore, më datë 08.12.2017 gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Bizë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

• një sasi prej 3 kg e 134 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa dhe

• 156 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm.

Sipas policisë, nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se sendet e sekuestruara  i përkasin të arrestuarit.

Ndaj tij tashmë rëndojnë 2 akuza: “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar në nenet 283/1 dhe 278/2  të Kodit Penal.