300 tregtarë të rrobave dhe sendeve të përdorura në Durrës janë hedhur në protestë sot. Ata thanë se duhet të nisin punën ose të marrin pagë lufte nga shteti pasi kanë prej 10 marsit pa punë.

Tregtarët thonë se janë dakord të rinisë puna duke u vendosur tunele dezinfektimi njësoj si në tregun e fruta-perimeve, pasi pa punuar nuk kanë më asnjë mundësi të ushqehen në familje ndërkohë që nuk kanë patur asnjë ndihmë.

Tregtarët e gabit, siç njihen ndryshe thonë se kanë shpenzuar paratë e shitjes së mallit e nuk kanë më me çfarë të paguajnë mallin e marrë veresie. Në të tilla kushte ata paralajmërojnë protesta para institucioneve të qytetit në ditët në vijim.

Tregtarët e mallrave dhe rrobave të përdorura thonë se nuk janë fiskalizuar as si ambulantë nga shteti e për këtë ata nuk ekzistojnë në tatime, duke mos përfituar asgjë.

Duke qenë edhe shtresa më e varfër, një pjesë e tyre janë krejtësisht pa asnjë mbrojtje nga shteti. Ata thonë se i kanë shkruajtur kryeministrit por deri tani nuk kanë marrë përgjigje.

K.H.