Prej fillimit të muajit prill tregu i fruta-perimeve në Durrës është marrë nën “mbrojtje” nga Policia Bashkiake për të shmangur grumbullimin e qytetarëve si masë mbrojtëse kundër përhapjes së COVID-19.
Në të gjitha hyrje–daljet e tregut qëndrojnë forcat e policisë, të cilat mbikqyrin çdo hyrje si dhe pengojnë kalimin e njerëzve që nuk ruajnë distancat.
Kërkesë parësore e policisë për çdo qytetar që i drejtohet tregut është përdorimi i dorezave dhe maskave në fytyrë.
Për dy ditë me radhë, i gjithë tregu u mbyll dhe u dezinfektua nga ana e shërbimit zjarrfikës, ndërsa janë lejuar që aty të ushtrojnë aktivitet jo më shumë se 50% e tregtarëve.
Pavarësisht masave, sërish tregtarët ndihen të rrezikuar nga infektimi për aq kohë sa kanë të bëjnë me një armik krejtësisht të padukshëm, që mund t’ua transmetojnë blerësit.
“Njerëzit vijnë pa maska, pa doreza, por jemi të detyruar të punojmë sepse me ketë punë ushqejmë fëmijët”, thotë një tregtare.
Një tjetër vlerëson punën e policisë që po i ndihmon në drejtim të qytetarëve që shkojnë në treg pa maska pa doreza.
Të moshuarve u është ndaluar të dalin në ambientet publike prej fillimit të javës, për t’i mbrojtur ata nga koronavirusi.
E megjithatë ata që janë të vetmuar janë të detyruar të thyejnë rregullat për të kryer nevojat e domosdoshme, pasi askush nuk i ndihmon.
Kujtojmë që gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Durrësit ka gjobitur 32 qytetarë me vlerë 100 mijë lekë që janë gjetur jashtë banesave pas orës 13.00, si dhe tre subjekte biznesi me vlerë një milion lekë secili pasi janë konstatuar të hapura.
Po kështu pesë shoferëve u është pezulluar leja e drejtimit, pasi janë gjetur në qarkullim, ndërsa ju janë bllokuar automjetet.
Akti normativ ka ashpërsuar masat ndëshkuese për qytetarët dhe bizneset, ndërsa policia është treguar e rreptë për të mos lejuar asnjë qytetar të shkelë ligjin.
K.H.





