Pak ditë më parë në krye të Hekurudhës Shqiptare u emërua Ani Dyrmishi. Pas një 4-vjeçari që Hekurudha është drejtuar nga drejtorët e LSI-së, tani ajo drejtohet nga PS. Dyrmishit i kanë dalë përpara shumë detyra të vështira, për të rimëkëmbur një prej sektorëve që dikur konsiderohej lokomotivë e ekonomisë shqiptare.

Dyrmishi, i cili njihet si një prej “djemve” të shkathët të PS-së, që në fillim po përballet me problemet reale që ka hekurudha e falimentuar dhe e rrënuar ekonomikisht.

Treni i mallrave, i vetmi transport që po mban në këmbë këtë ndërrmarrje ka dalë nga shinat pranë Ishmit për herë të dytë në harkun e një muaji. Treni udhëtonte nga Mali i Zi në drejtim të Elbasanit dhe 13 vagonët e tij ishin të ngarkuar me skrap dhe gurë.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 06:00, në afërsi të stacionit të Ishmit. Amortizimi i binarëve që mbajnë shinat është shkaku i aksidentit, ashtu si edhe në rastin e ngjashëm të datës 28 nëntor të këtij viti.

Fatmirësisht, në të dy rastet, nuk pati persona të lënduar. Siç tregojnë edhe këto pamje filmike, binarët në këtë pjesë të hekurudhës janë plotësisht të amortizuar, pasi në to nuk është ndërhyrë që prej ndërtimit të linjës hekurudhore.

Ndërkohë punonjës të hekurudhës, që prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të premteje, kanë nisur punën për të rikthyer në shina tre vagonët e trenit që doli nga binarët. Hekurudha po kalon ditë të vështira, ndërsa të gjitha linjat janë thuajse të amortizuar.

K.H.