• Ja itineraret: “Durrës-Unazë-Kënetë-Plepa-Durrës”, “Durrës-Currila-Durrës” dhe “Durrës-Universiteti-Durrës”
  • Nxirren jashtë përdorimit 14 autobusë të parkut të udhëtarëve

DURRËS, 26 korrik 2014 –  Këshilli bashkiak i qytetit të Durrësit ka miratuar më 25 shtator 2014 tri linja, që mendohet se do të sjellin një shpërndarje të rregullt dhe funksionale të transportit qytetas dhe njëkohësisht i dha OK Bashkisë për zhvillimin e konkursit për linjat “Durrës-Unazë-Kënetë-Plepa-Durrës”, “Durrës-Currila-Durrës” dhe “Durrës-Universiteti-Durrës”.

Hapja e konkursit bëhet nisur nga gjendja aktuale e parkut të udhëtarëve, e cila sa vjen dhe bëhet gjithmonë dhe më e rënduar për arsye dhe problematika të mbivendosura në vite, dhe me synimin që firmat private të sigurojnë mbarëvajtjen e tyre normale me kushtet dhe standardet në transportin e udhëtarëve.

Bashkia pranon se vjetërsia e autobusëve të parkut (po në këtë mbledhje u miratua nxjerrja jashtë përdorimit e 14 autobusëve) e kalon koston e riparimit.

Po ashtu, numri i ulët i mjeteve për banorë kufizon kërkesat e udhëtarëve në orare të ndryshme.

Rritja e çmimit të karburantit në formën e spirales së pakthyeshme është shkak për rritjen e problemeve financiare të ndërmarrjes duke mos pasur mundësinë e rritjes së çmimit të biletës.

Ka shpejtësi të ulët të shërbimit.

Aktualisht nuk plotësohen kushtet për zhvillimin e turizmit, sidomos gjatë sezonit veror.

Info / Itineraret e tri linjave

“Durrës-Unazë-Kënetë-Plepa-Durrës

Rrugët: “Maliq Muço”, “Hysen Kërtusha”, “Vllazërimi”, “Martin Camaj”, Unazë-Plepa.  

“Durrës-Currila-Durrës”

Rrugët “Egnatia” dhe “Taulantia”.

“Durrës-Kënetë-Universitet-Durrës”

Sheshi “Pranvera”, rrugët “Adria”, “Stefan Kaçulini”, “Glaukia”, “Shën Vlash”, Universitet.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/