Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës “Durrës 2019” ka prezantuar në mbrëmjen e tretë të tij Trion “Ad Libitum” nga Maqedonia e Veriut.

Pas interpretimeve të “Minguet Quartet” nga Gjermania dhe “Piano Kuartet” nga Universiteti i Arteve Tiranë në dy mbrëmjet e para të këtij edicioni, instrumentistët nga vendi fqinj sollën në mjediset e Muzeut arkeologjik të qytetit bregdetar vepra nga autorë vendas dhe të huaj.

Silvana Chuleva Atanasova në flaut dhe Lazar Sokolov në klarinetë e saksofon alt nën shoqërimin e pianistes Emilja Kabranova Filipova, në pjesën e parë të programit kishin zgjedhur pjesë nga autorët Artan Hasani (1981 – ), Kokan Dimushevski (1958- ) nga Maqedonia e veriut dhe Anze Rozman (1989 – ) nga Sllovenia.

Në veprën “Labyrinth” të autorit kosovar Artan Hasani ndjeheshin ritmet e folklorit shqiptar, çka i dha Trios instrumentale duatrtrokitje të merituara.

Megjithëse një ansambël me vetëm katër vite përvojë artistët nga Maqedonia luajtën me sukses edhe pjesët “Tango Preparense” nga Astor Piazzolla (1921 – 1992), “Jeux d’eau” nga Maurice Ravel  (1875 – 1937) dhe Trion nr.1 për flaut, piano dhe saksofon alt nga Russel Peterson.

Në edicionin e 14-të të Festivalit të muzikës së dhomës që organizohet në Durrës nga violinistja Nevila Kalaja do të interpretojnë në katër koncerte të tjerë edhe instrumentistë nga Spanja, Italia, Austria dhe Shqipëria.

G.K.