4 shtator 2015 –  Mrekullohen nga monumentet e Durrësit mbi 1 500 turistë nga 16 vende të botës. Të enjten, më 3 shtator 2015 turistë të kroçerës britanike “Thomson Majesty”, që mbërritën paraditen e së enjtes në portin e Durrësit, vizituan monumentet e ndryshme që përbëjnë trashëgiminë kulturore. Ata qëndruan këtu vetëm për një ditë. Drejtoria rajonale e kulturës kombëtare Durrës thotë se turizmi i kroçerave ka ardhur në rritje vitet e fundit dhe gjatë kësaj periudhe ka intensitet më të lartë se në stinët e tjera të vitit.

Fotot që po paraqesim janë marrë nga vizita e turistëve të kroçerës “Thomson Majesty” në Amfiteatrin e Durrësit dhe Muzeun Arkeologjik. Ata kanë shfaqur interes të madh dhe janë impresionuar. Shumë prej tyre mendojnë të vijnë për pushime të plota në Durrës dhe jo për një ditë, në mënyrë që të njihen më nga afër me pasurinë e jashtëzakonshme me monumente antike të qytetit më të vjetër të Adriatikut.

/th. m. portali “DurresLajm”/