·        Raporti/ Mbi gjendjen teknike të rrugëve të asfaltuara në administrim të Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale Rajonale

DURRËS, 19 mars 2014   Edhe pse në rrugët rurale të qarkut të Durrësit janë bërë investime të konsiderueshme, gjithsesi, për shkak të punimeve jocilësore apo ngarkesës në trafik dhe kushteve meteorologjike, ka gjendje tejet të rënduar.

Kjo bëhet më urgjente dhe në prag të sezonit turistik, pasi zona rurale ka dhe pjesët më të rëndësishme të turizmit elitar dhe masiv në fashën bregdetare që shtrihet në drejtimin veri-jug.

Ndërmarrja e Rrugëve Rurale Rajonale e Durrësit, në varësi të Këshillit të Qarkut, për shkak të fondeve të pamjaftueshme, shto këtu shkurtimin me 7 punonjës nga organika, nuk është në gjendje të mirëmbajë dhe riparojë rrjetin që ka në administrim.

Nisur dhe nga fakti se Këshilli i Qarkut Durrës ka një sërë planesh me bashkëpunim ndërkombëtar për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit, kuptohet se nuk është në gjendje të plotësojë misionin, si koordinues midis njësive të pushtetit vendor, për më tepër që ndodhet në kufirin minimal të ekzistencës.

Po ashtu nisur dhe nga përparësitë e programit qeveritar për turizmin, kërkohet një task force urgjente dhe fonde për t’i paraprirë sezonit.

Në këtë rast Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, në bashkëpunim dhe me dikastere të tjera, mund të nxjerrë fonde emergjence.

Buxheti i vitit 2014 i miratuar nga Këshilli i Qarkut Durrës, nuk mundëson realizimin e plotë të këtyre punimeve, por vetëm rreth 65 për qind të tyre dhe këto do të kryen në ato segmente apo fragmente të tyre ku është më e domosdoshme.

Shto këtu faktin se gjatë vitit 2013, për mungesë fondesh, nuk janë likuiduar detyrimet ndaj kontraktuesve për blerje asfalti dhe emulsioni për 4 058 807 lekë dhe blerje çaklli dhe transport për 1 183 680 lekë.

“Dyrrah”-u po boton pjesë nga një raport mbi gjendjen teknike të rrugëve të asfaltuara në administrim të Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale Rajonale, që ka dalë pas inspektimeve në vend ditët e fundit.  

Në segmentin Sukth-Manëz, me gjatësi 10 km, gjendja është relativisht e mirë me përjashtim të 4 km të para, ku ka dëmtime në pjesët anësore të rrugës dhe në trase; nga përllogaritjet rezulton se ky segment ka nevojë për 150 tonë asfalto-beton dhe 700 litra emulsion.

Segmenti-Perlat-Hamallaj-Hidrovor, me gjatësi 6 km, ka mjaft dëmtime dhe gropa me thellësi 9-10 cm e densitet afro 20 gropa në 100 ml; për riparimin e pjesëve më të dëmtuara nevojiten 150 tonë asfalto-beton dhe 700 litra emulsion.

Segmenti Rrushkull Kryqëzim-Rrushkull bregdet me gjatësi 4 km është relativisht mirë, por në pjesë të veçanta është mjaft i dëmtuar dhe për riparimin e tij duhen 200 tonë asfalto-beton dhe 800 litra emulsion.

Segmenti Ura e Gjoles-Budull (Krujë), me gjatësi 2 km, ka gropa të vogla me densitet 20 gropa në 100 ml dhe disa thyerje anësore të trupit të rrugës dhe për riparimin e tij nevojiten 60 tonë asfalto-beton dhe 400 litra emulsion.

Segmenti Shkafane-Ishëm, me gjatësi 10 km, ka gropa të vogla me densitet 15 gropa në 100 ml dhe thyerje anësore të trupit te rrugës dhe për riparimin e saj nevojiten 160 tonë asfalto-beton dhe 750 litra emulsion; ka shembje rruge prej 50 m dhe nevojiten 300 rrjeta gabian dhe 600 metra kub gur muri dhe 30 metra kub stabilizues.

Segmenti kryqëzimi Fllakë-Katundi i Ri me gjatësi 7 km është shumë i dëmtuar dhe në pjesë të veçanta të tij është në gjendje emergjence; gropat kanë thellësi 10-15 cm dhe densitet 45 gropa në 100 ml; ky segment është i dëmtuar në masen 40 për qind; por gjithashtu për këtë segment është bërë një tender.

Segmenti SMT- Katundi i Ri me gjatësi 7 km dhe gjerësi 2.5 m është pjesërisht i amortizuar dhe do të shtrohet me asfalt; për riparimin duhen afërsisht 60 tonë asfalto-beton dhe 300 litra emulsion 

Segmenti Xhafzotaj-Qerret, me gjatësi 5 km, është pjesërisht i dëmtuar dhe ka nevojë për 10 tonë asfalto-beton dhe 150 litra emulsion.

Segmenti Shënavlash-Vrin, me gjatësi 3 km është pjesërisht i dëmtuar dhe ka nevojë për 20 tonë asfalto-beton dhe 300 litra emulsion.

Segmenti Ishëm-Bubq, me gjatësi 5 km është pjesërisht i dëmtuar dhe ka nevojë për 23 tonë asfalto-beton dhe 350 litra emulsion.

Gjithsej, për kryerjen e këtyre punimeve duhen 833 tonë asfalto-beton dhe 4 450 litra emulsion.

Çmimet për njësi janë të përcaktuara në bazë të çmimeve njësi të punimeve të ndërtimit, miratuar nga Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës.

Buxheti i vitit 2014 i miratuar nga Këshilli i Qarkut Durrës, nuk mundëson realizimin e plotë të këtyre punimeve, por vetëm rreth 65 për qind të tyre dhe këto do të kryen në ato segmente apo fragmente të tyre ku është më e domosdoshme.

Shto këtu faktin se gjatë vitit 2013, për mungesë fondesh, nuk janë likuiduar detyrimet ndaj kontraktuesve për blerje asfalti dhe emulsioni për 4 058 807 lekë dhe blerje çaklli dhe transport për 1 183 680 lekë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/