DURRËS, 14 korrik 2014 –  Drejtoria Rajonale e Durrësit e Kulturës Kombëtare (DRKK), duke kryer punë e vet funksionale, ndihmon në turizmin kulturor, sidomos me shërbimin ndaj monumenteve, jo vetëm në qytetin bregdetar, por edhe në krejt rrethin, sikurse po ndodh në Ishëm.

Burime zyrtare nga DRKK-ja njoftojnë se para pak ditësh është inspektuar kalaja e Ishmit dhe se u vërejt “një gjendje problematike të mureve të kalasë, për shkak të vegjetacionit dhe mungesës së mirëmbajtjes”.

Kalaja e Ishmit i takon periudhës otomane, e ndërtuar në vitet 1572-1574, ndodhet në një pikë mbizotëruese, në qendër të komunës kodrinore, e cila mban të njëjtin emër, prej nga ku të gjitha rrugët dhe terreni shihen si në pëllëmbë të dorës.

Duke bashkëpunuar me komunën e Ishmit, tek e cila u gjet mbështetje e plotë, filloi puna e pastrimit dhe mirëmbajtjes, e cila po vazhdon ende, tha DRKK-ja.

Po ashtu edhe në kalanë e Skënderbeut në Kepin e Rodonit për disa ditë punëtorët e mirëmbajtjes punuan për pastrimin e këtij monumenti të rëndësishëm nga mbeturinat dhe vegjetacioni në kala dhe përreth saj.

E njëjta gjë për heqjen e vegjetacionit është bërë më parë në murin e kalasë së Durrësit, amfiteatër, Rotondë; në këtë të fundit është përdorur herbicid, mjaft produktiv dhe që nuk dëmton monumentin.

Ndërkohë disa ditë më parë në Forumin Bizantin u zëvendësuan bazamentet e shkallëve prej druri në hyrjen e monumentit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/