DURRËS, 7 mars 2014 –  Teksa turqit janë hedhur në ekspansion, duke kërkuar dhe dy kalata të tjera, në portin e Durrësit u shfaqën edhe grekët e Fushë-Krujës, që synojnë të marrin me koncesion terminalin e çimentos.

Marshallah!

Turqit sugjerojnë likuidimin e terminalit aktual të drithërave (kalata 5, në foto). Sipas një shkrimi promo, për të cilin “Kurum”-i ka harxhuar me mijëra euro në të përditshmet e Tiranës, turqve të Durrës Container Terminal sha u “duhet një hapësirë më e madhe në sheshe dhe të ketë një kalatë më të gjatë. Kalatat numër 5 [gjatësia 235.9 m thellësia 7.9/9.85 m, kalata e drithërave – “Dyrrah”-u], 6 dhe 7 duhet t’i jepen këtij terminali në mënyrë që të arrihet operimi intensiv me 2 anije dhe 4 vinça, për të përballuar trafikun” në rritje “dhe për të kushtëzuar trafikun e kontejnerëve drejt Portit të Durrësit”. Duke përdorur një gazetar shqiptar, për t’i kundërvënë “Dyrrah”-ut dhe medieve të huaja, “Kurum”-i mburret se “sot anija arrin të përpunohet brenda një dite, një periudhë kjo më e shkurtër se në portin e Bar-it [duhet “Tivar” në shqip] (Mal i Zi) dhe konkurruese me terminalin kroat në Rijeka”. Por nuk është kështu.

INFO 1

Më 3 shkurt 2013 durreslajm.com përktheu një shkrim me titullin “Fiasko në Durrës. “Kurum” do të rishesë terminalin e kontejnerëve”, botuar në të përmuajshmen britanike “Port Strategy”. Ekspertët e komentojnë “shpartallimin” (debacle) e kompanisë metalurgjike për menaxhimin e terminalit të kontejnerëve në portin e Durrësit dhe për shkak të dhënies të bonusit nga qeveria shqiptare një kompanie që nuk ka haber nga portet (a non-port operating company). Berisha dhe Olldashi kanë shpërfillur dhe konsulencën e evropiane për të mos kompensuar “Kurum”-in me koncesion për shkak se do t’i kthente portit kantierin detar që e blenë nga polakët brenda territorit të portit. Tani “Kurum”-i dëshiron ta shesë për 100 milionë euro te APM Terminals [kompani ndërkombëtare që operon terminale kontejnerësh, me seli në Hagë – durreslajm.com]. Më 30 korrik 2013 “Dyrrah”-u ka botuar vëzhgimin me titull “Durrës, turqit e “Kurum”-it vonojnë përpunimin e kontejnerëve”. Situata e rëndë me kontejnerët e bllokuar në portin më të madh të vendit ka alarmuar kreun e Qeverisë Rama dhe ministrin e Transportit Haxhinasto, konfirmoi në mbrëmjen e 23 dhjetorit 2013, nr. 2 i APD sha, A. Qirici. Sikurse njoftonte “Dyrrah”-u më 22 dhjetor 2013 në shkrimin “Durrës. KURUMI-i bllokon 837 kontejnerë të Vitit të Ri”, më 22 dhjetor 2013, janë bllokuar në port, radë dhe rrugës 4 anije të mëdha me një total prej 837 njësi kontejnerësh (TEU). Ndërkohë, u njoftua se më 24 dhjetor 2013, vjen dhe një anije e pestë, “Mirella”, me 268 TEU, duke e çuar numrin e kontejnerëve në 1105 njësi. Subjekte pritëse të mallrave dhe agjenci spedicionere (transportuese) janë ankuar pranë medieve për këtë bllokim dhe vonesa, duke u shprehur se përgjegjësia për gjendjen, sikurse u kishin thënë nga “Kurum”-i, bie mbi Autoritetin Portual Durrës (APD) sha, pasi nuk lejon përdorimin e vinçit që kanë sjellë turqit nga porti i Mersinit. “Dyrrah”-u pyeti për këtë qëllim, në rrugë telefonike zëvendësdrejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të kompanisë shtetërore APD sha, Artjan Qirici. Ja çfarë tha ai: “Subjektet tregtare, që kanë ardhur në APD, i kemi sqaruar se operimi në Terminalin e Kontejnerëve është kompetencë e koncesionarit turk, me të cilin kanë apo nuk kanë kontratë agjencitë detare dhe ato transportuese. Koncesionari ka marrë me qira dy vinçat “Fantuzzi”, me kapacitet ngritës 120 dhe 60 tonë në gjendje të mirë teknike. Një grup i posaçëm i APD-së dhe njësisë së Terminalit të Kontejnerëve pranë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës po ndjek nga afër riparimin e vinçave. Vinçit 60-tonësh, me gjithë defektet, i është dhënë OK-i për punën, por ai mund të përballojë vetëm 30 për qind të kapacitetit përpunues të terminalit. Situata është kritike. Kemi njoftuar kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Edmond Haxhinasto. Vinçi 120 tonë ka pësuar dëmtime serioze për shkak të moskryerjes së shërbimeve dhe përdorimit joprofesional. Njësia APD+ministri Transporti po heton dhe ka vënë në dijeni zyrtarisht instancat përkatëse për këtë dëmtim. Kurse vinçi 150 tonë që solli Kurum-i nga Turqia, nuk plotëson parametrat e sigurisë teknike të kalatës”. Në nëntor 2013, ish-partneri i Kurum-it për terminalin e kontejnerëve të Durrësit, bashkatdhetari serioz “Global Investment Holdings”, ka blerë 62 për qind të portit malazez të Tivarit nëpërmjet një marrëveshjeje prej 30 milionë euro. Tivari përpunon aktualisht 40,000 kontejnerë në vit. Ky kapacitet mund të rritet në 1 milion, tha kompania turke, duke shtuar se planifikon të ndërtojë atje një qendër logjistike. Plani fillestar i “Global Investment Holdings” synon të thithë trafikun e Serbisë, Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, thotë media botërore.

Jasu!

Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i kompanisë publike të Autoritetit Portual Durrës sha, Selim Belortaja, ka pritur mesditën e 6 marsit 2014 në një takim përfaqësues të firmës greke të çimentos “Titan Antea Cement” sha (në foto), njofton sajti zyrtar i APD-së. Përfaqësuesit e kësaj firme, të kryesuar nga menaxheri i përgjithshëm Adamantios Frantzis (në foto) shprehën interesin e  tyre në zhvillimin e Terminalit Klinker-Çimento, aktualisht në fazën e studimit nga ana e APD-së. Gjatë takimit përfaqësuesit “Titan Antea Cement” sha i kanë kërkuar APD-së të shohë mundësinë për ndryshimin e tarifës së përpunimit dhe niveleve të sasive për përfitimin e tarifave favorizuese. U kërkua që këto propozime përfaqësuesit e firmës t’i formalizojnë nëpërmjet një drafti të shkruar. Selim Belortaja falënderoi përfaqësuesit e firmës “Titan Antea Cement” sha për interesimin e tyre, ndërsa i ka siguruar për bashkëpunim në të gjitha fushat që ata janë të interesuar për të zhvilluar më tej procesin e përpunimit të çimentos. “Në 6-mujorin e ardhshëm do të shqyrtohen ndryshime dhe padyshim do të shqyrtohen dhe kërkesat tuaja, duke ruajtur të pacenuar interesat e të gjithë aktorëve pjesëmarrës në këtë proces”, është shprehur Belortaja, ish-ministër i Berishës. 

INFO 2

Në fund të vitit 2005 u mor vendimi për të kërkuar për një territor, pranë burimeve ku mund të gjendej lëndë e parë e nevojshme për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e çimentos, e cila do të përmbushte nevojat gjithnjë në rritje te vendit për materiale ndërtimi. TITAN ka eksportuar për tregun shqiptar çimento të ambalazhuar nga viti 1994 deri në vitin 2006, vit në të cilin TITAN ndërtoi gjithashtu në Vlorë një qendër për shpërndarjen e çimentos së ambalazhuar, e cila funksionon edhe sot.

Më 25 korrik 2007 u nënshkrua një kontratë në Tiranë, ndërmjet kompanisë shqiptare ANTEA Cement sha, degë e Grupit TITAN, dhe kompanisë kineze CBMI Construction Co. shpk për të ndërtuar fabrikën e re për prodhimin e çimentos.

Më 23 korrik dhe 1 tetor 2007 parlamenti shqiptar ratifikoi një marrëveshje ndërmjet TITAN dhe autoriteteve kombëtare për ndërtimin e një fabrike për prodhimin e çimentos në Boka e Kuqe, në Krujë (50km në veri të Tiranës). TITAN iu akordua e drejta për përdorimin e tokës dhe kryerjen e punimeve minerare për 99 vjet.

Në shkurt të vitit 2008 filloi puna për ndërtimin e fabrikës.

Në nëntor të vitit 2008 u deklarua se IFC dhe BERZH do të kishin aksione tek ANTEA.

Në janar të vitit 2010 u prodhua klinkeri i parë.

Në prill të vitit 2010 u përgatitën shitjet e para të çimentos për tregun vendas dhe për eksport.

Më 13 shtator 2010, është përuruar zyrtarisht fabrika e prodhimit të çimentos ANTEA Cement në zonën e Bokës së Kuqe, në praninë e ish-Kryeministrit  Sali Berisha (në foto). Sipas z. Berisha, “inaugurimi i kësaj fabrike çimentoje është një ngjarje e madhe për Shqipërinë, është një ngjarje e madhe për peshën shumë të rëndësishme që ka në zhvillimin e ekonomisë së vendit, teknologjinë e shkëlqyer që ka zbatuar, eksportin e prodhimeve të saj. Është e pamohueshme se ekzistojnë vështirësi nga kriza botërore, por është, gjithashtu, realitet se ekonomia shqiptare është një vend me ekonomi vibrante, me një rritje të admirueshme. Jam i bindur se grupi TITAN, së shpejti, do të prodhojë me kapacitetin e saj më maksimal. E garantoj se do të bëj çdo përpjekje që i tërë prodhimi i tij të konsumohet në këtë vend, si dëshmi e një vullneti për të shpejtuar ndërtimin dhe zhvillimin e vendit. Sikundër, do të krijojmë besimin më maksimal për eksportin e prodhimeve të tij”.

Shpyllëzimet kanë hasur kundërshtimin e ekologjistëve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/