–         “Kurum”-i me dy anije: njëra me 5 mijë tonë skrap importi dhe tjetra për 2 300 tonë prokat eksport

DURRËS, 25 shtator 2014 –  Mungesa e skrapit në Shqipëri detyron turqit e metalurgjisë së Elbasanit të importojnë hekurishte me det dhe hekurudhë, që e kthejnë në produkt të gatshëm (llamarinë dhe prokat) për eksport, duke përdorur dy transportues “liner”.

BLEJ SKRAP

Sipas dispeçerit të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të shoqërisë shtetërore  Autoriteti Portual Durrës (APD), pasditen e 25 shtatorit 2014 pritet të mbërrijë nga Italia anija  Rita BR, me një ngarkesë prej 5 mijë tonësh skrap për llogari të grupit turk metalurgjik “Kurum”.

Ky transportues me flamur italian do të shkarkohet në kalatën nr. 10 të Terminalit Lindor nga koncesioni gjerman  EMS APO.

Vetëm me rrugë detare, bazuar në statistikat zyrtare të APD-së, importi i skrapit, si 8-mujor 2014, ka arritur në shifrën 51 941 tonë nga 1 514 tonë në të njëjtën periudhë të vitit kaluar me diferencë 50 427 tonë, fakt që dëshmon se në Shqipëri nuk ka më hekurishte.

SHIT PROKAT

Gjithë kjo sasi e madhe skrapi është konvertuar në produkt të gatshëm: eksporti llamarinë dhe prokat  Made in Albania by turkish Kurum, nëpërmjet portit të Durrësit, si 8-mujor 2014, ka arritur në shifrën 80 549 tonë nga 37 596 tonë në të njëjtën periudhë të vitit kaluar me diferencë 42 953 tonë.

Në orën 7:20 të mëngjesit të datës 25 shtator është bregëzuar në kalatën nr. 5 të Terminalit Perëndimor publik anija  Mermaid I.

Ky mjet lundrues me flamur panamez do të ngarkohet nga stivadori privat  Liburnet 1 me 2 300 tonë lidhje prokat shqiptar për eksport.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/