Ndryshe nga denoncimi i bërë në polici nga ish-vjehrra e shtetases Blerina B, e cila e akuzon atë për lënien vetëm në shtëpi të të miturve, nëna e 3 fëmijëve të moshës 5, 10 e 12 vjeç ka deklaruar se ata ishin vetëm sepse ajo kishte ikur në punë.
Sipas nënës, që prej vitesh është e divorcuar ajo punon si banakiere në një lokal dhe të tre femijet i lë së bashku në shtëpi kur ikën në punë.
Nëna e tre fëmijëve deklaron se e ka të pamundur të rrijë gjithë ditën me fëmijët sepse duhet të punojë që t’I mbajë, sepse vetëm 300 mijë në muaj paguan qiranë e shtëpisë ku banon.
“E kam të pamundur që të rri me femijet se s’kam të ardhura me se te paguaj qeranë dhe t’i ushqej”,– thotë gruaja.
Ajo akuzon vjehrrën se e ka stisur ajo situatën.
“Ky është kurth nga ish-vjehrra, e cila më ka paditur se braktisa fëmijët. Si mund ta bëj këtë, kur unë vetë punoj?
Më ka hyrë pa leje në shtëpi, ka mësuar fëmijet të flasin keq kundër meje.
Nuk e di por kjo është e patolerueshme si vjen në shtëpimë time pa leje dhe më denoncon në polici?”,– thotë gruaja.
Ajo tregon se babai i fëmijëve ka qenë në burg në Itali për 5 vitë dhe kur ka dalë nga burgu ka paguar për fëmijet 180 mije lekë të vjetra.
“Si mund t’i ushqej fëmijët me 180 mijë të vjetra në muaj?”– shtron pyetjen Blerina.
“Unë fëmijet nuk i braktis kurrë se jam nënë . Djali i dytë vuannga epilepsia dhe kam shkuar në spitale për kurim për një kohë të gjatë, tani është më mirë. Veshkën e shes e femijet nuk i lë!
Tani më morën në pyetje në polici se më denoncoi vjerra do hapen gjyqe dhe degjova se do të më marrë shteti fëmijët. Fëmijët nuk i lë në jetimore!”,- mbyll rrëfimin e vet nëna e tre të miturve.
Ajo së bashku me fëmijët e mitur ndodhet në spitalin e Durrësit.





