Durrës, 2 maj 2014 – Përfundojnë hetimet e Drejtorisë Detare Durrës në lidhje me ngjarjen e 19 prillit në tragetin "Bridge”, të linjës Bari – Durrës, prej nga u hodh një pasagjer në ujërat e detit Adriatik.
Sipas drejtorit të Drejtorisë Detare, Gazmir Tahiri, nga hetimet e kryera nga specialistë të këtij dikasteri dhe ekspertë të fushës mësohet se bëhet fjalë për një hedhje të vullnetshme të 39- vjeçarit Gentian Peta, raporton Balkanweb.
Dosja me konkluzionet hetimore është mbyllur tashmë dhe ndodhet në Ministrinë e Transporteve për shqyrtim. Ndërkohë Prokuroria dhe Policia e Durrësit kanë nisur hetimin ndaj drejtuesve dhe të ekuipazhit të tragetit "Bridge", pas dëshmive nga një numër i konsiderueshëm pasagjerësh, për mungesën e gatishmërisë së mjeteve të operacionit të kërkim- shpëtimit për 39-vjeçarin Gentian Peta , trupi i të cilit nuk është gjetur ende.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





