Policia e Durrësit ka arrestuar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, për konfliktin fizik të ndodhur ditën e djeshme në lagjen nr.13 në Durrës, pas përplasjes së dy automjeteve.
Mësohet se në pranga kanë përfunduar shtetasit A. K., 42 vjeç, E. K., 36 vjeç dhe R. K., 32 vjeç (vëllezër), si dhe A. H., 22 vjeç, ndësa shtetasi B. H., 63 vjeç është shpallur në kërkim.
Ndërkohë, është proceduar në gjendje të lirë administratori i lokalit, shtetasi A. Zh., 35 vjeç, përpara të cilit ka ndodhur konflikti, pasi ka hequr dhe ka fshehur DVR-në e kamerave të sigurisë së lokalit, me qëllim që të pengonte veprimet hetimore të Policisë.
Njoftimi i plotë:
U konfliktuan fizikisht me njëri-tjetrin, pas përplasjes së 2 automjeteve, vihen në pranga 4 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.
Procedohet administratori i lokalit në afërsi të të cilit ndodhi konflikti, sepse hoqi DVR-në e kamerave të sigurisë së lokalit.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të konfliktit të ndodhur pasditen e djeshme, në lagjen nr. 13, Durrës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. K., 42 vjeç, E. K., 36 vjeç dhe R. K., 32 vjeç (vëllezër), për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim;
A. H., 22 vjeç, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Deklarimi i rremë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës”;
-shpallën në kërkim shtetasin B. H., 63 vjeç, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëëpunim dhe “Shkatërrimi i pronës”;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Zh., 35 vjeç, banues në Durrës, administratori i një lokalit përpara të cilit ka ndodhur konflikti, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Dje, rreth orës 18:50, automjeti me drejtues shtetasin B. H. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. K. Pas përplasjes, janë përfshirë në konflikt fizik, shtetasi A. K. dhe 2 vëllezërit e tij me shtetasit B. H. dhe A. H.
Shtetasi A. H., gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, nuk ka treguar për rrethanat e konfliktit dhe për shtetasit e përfshirë, ndërsa shtetasi A. Zh. ka hequr dhe ka fshehur DVR-në e kamerave të sigurisë së lokalit, me qëllim që të pengonte veprimet hetimore të Policisë.
Vijon puna për kapjen e shtetasit B. H. dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në konflikt.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.