Durrës, 29 korrik 2014 – Nuk i është bindur urdhrit të efektivëve të rendit për të ndaluar, shpallet në kërkim nga policia.
Burime zyrtare të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se kanë nisur procedimin penal në mungesë për 39 vjeçarin nga Durrësi Ylli Agasi, i cili në orët e para të mëngjesit të së dielës, ndërsa po udhëtonte me automjetin e tij nuk i është përgjigjur urdhrit të postbllokut policor për të ndaluar.
Mësohet se 39 vjeçari Agasi po udhëtonte me një automjet tip Benz pa targa. Postblloqeve të policisë të ngritura në vendin e njohur me emrin “Varrezat e Shkafanes” si dhe në Sukth ai u ka shpëtuar duke u larguar me shpejtësi në drejtim të autostradës Tiranë-Durrës.
Policia ka dyshime të forta se Agasi kishte në sediljen e pasagjerit të automjetit të tij një automatik.
Policia po punon për ndalimin e këtij shtetasi që akuzohet për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve e municioneve luftarake”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





