DURRËS, 9 dhjetor 2013 – Uashingtoni e ka marrë tejet seriozisht luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, përderisa numri 2 i përfaqësisë diplomatike në Tiranë vjen brenda katër ditësh dy herë në qytetin bregdetar. Pasi shkoi në Plepa më 5 dhjetor 2013, ku u interesua për hapësirën detare, zëvendës-ambasadori Henry Jardin shkon në gjimnazin “Gjergj Kastrioti” për të ngritur të rinjtë në këmbë, jo vetëm për armët kimike, por edhe për “peshqit” tokësorë, të vegjël e të mëdhenj, të korrupsionit. Deklarimet në Durrës të diplomatit të lartë të “Dajë Samit” vijnë të nesërmen e premtimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama para të rinjve të Tiranës për kapjen e të gjithë llojeve të peshqve të korrupsionit. Thua të ketë rakordim orësh?

Në shpatullat e rinisë

 “Iu përgjigjëm iniciativës së Prokurorisë së Përgjithshme për sensibilizimin e të rinjve, për ty bërë pjesë e luftës ndaj korrupsionit, një projekt ky, që mbështetet nga ambasada amerikane. Për ambasadën amerikane është e rëndësishme që zyrtarët lokalë, të bisedojnë me nxënësit e shkollave. Është shumë e rëndësishme që të tregohet roli që luajnë prokurorët me komunitetin, dhe ju si e ardhmja e vendit do të luani rol të rëndësishëm për luftën ndaj korrupsionit. Përgjegjësia mbi shpatulla do t’ju bjerë edhe ju në luftën ndaj këtij fenomeni”, kështu deklaroi më  9 dhjetor 2013, zëvendës-ambasadori Henry Jardin nga qyteti i Durrësit, ku u zhvilluan një sërë aktivitetesh me nxënësit e shkollave të mesme për kontributin që duhet të japin të rinjtë ndaj këtij fenomeni. Numri dy i ambasadës u ndal në  shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti”, duke u  bërë thirrje të rinjve të ngrenë zërin ndaj fenomenit të korrupsionit.

Sektorët e infektuar

Shefi i task forcës në prokurorinë e Durrësit Afrim Shehu u kërkoi të rinjve të luajnë rol aktiv duke theksuar se korrupsioni ka pasoja të rënda në të gjithë shoqërinë shqiptare. Sektorët kyç, sipas tij, të prekur nga korrupsioni, janë drejtësia, policia, shëndetësia, arsimi, inspektoratet e ndërtimit dhe mjedisit etj, me pasoja shumë të rënda. Kjo nismë e prokurorisë së përgjithshme për luftën ndaj korrupsionit do të finalizohet me punimet e nxënësve që do të përzgjidhen dhe do të shpallen fitues nga ambasada amerikane.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/