DURRËS, 10 gusht 2013 – Edicioni i 6-të i festivalit “Netët e muzikës klasike”, që mbahet prej 10 vjetësh në Durrës u mbyll mbrëmjen e 6 gushtit me një koncert në sallën e mbushur plot të teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Kuarteti instrumental i drejtuar nga Florian Vlashi prezantoi një koncert ndërdisiplinor për lidhjet e ngushta mes matematikës dhe muzikës, i ndihmuar nga bashkëshortja e tij violinceliste, Rediana Lukaçi dhe instrumentistët e njohur Adelina Hasani (Holandë) e Arben Llozi (Shqipëri).

Një natë më parë në mjediset e shtëpisë muze të Aleksandër Moisiut të ftuarit Zhani Ciko, Roland Xhoxhi dhe Vladimir Caku diskutuan mbi artin e violinës në Shqipëri.

Edicioni i këtij viti i titulluar “Durrësi, 700 vjet muzikë nga Jan Kukuzeli në ditët tona” tërhoqi vëmendjen e dëgjuesve për nivelin e lartë profesional dhe përkushtimin e artistëve bashkatdhetarë nga Spanja, Holanda e Franca, të cilët bashkëpunuan me artistët nga Durrësi për t’i dhënë jetë edhe këtij edicioni të ri.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/