Një numër shtëpish, në Lagjen 8 të Durrësit, janë përmbytur që nga mesdita e sotme, dhe kjo jo për shkak të reshjeve. Në këtë zonë, jo shumë larg këtyre shtëpive, ndodhet një rezervuar i vogël dhe ujërat e tij, gjatë shkarkimeve teknike-periodike, gjithnjë krijojnë të tilla probleme. Kjo ndodh pasi kanali i ujërave të larta, në atë zonë, është krejtësisht i bllokuar dhe nuk kryen largimin e ujërave të rezervuarit.
Zona ndodhet përafërsisht përballë ish-fabrikës së makaronave, përgjatë Rrugës “Aleksandër Goga”. Banorët alarmohen sa herë kryhen derdhje nga rezervuari. Kjo sjell edhe rreziqe të tjera, kryesisht shëndetësore, pasi ujërat që vërshojnë përzihen me ujërat e zeza të rrjetit të kanalizimeve, duke infektuar gjithçka që prekin.
Pavarësisht se ky është problem që njihet, deri tani kanë munguar ndërhyrjet për zgjidhjen e tij.





