Banorët Ish-Kënetës apelojnë për ndihmë.
Boshku: Do të bëjmë dizinfektimin e zonës
DURRES, 13 qershor 2013 – Qindra banorë të zonës së ish-Kënetës në Durrës prej më shumë se 20 vjetësh jetojnë mes ujërave të zeza. E ndërtuar si zonë informale pas viteve '90, në të gjithë hapsirën e saj shtrihen kanalet e zbuluara të ujërave të zeza, ndërsa banorët ankohen se kohët e fundit janë shtuar ndjeshëm rastet e të prekurve nga sëmundjet infektive.
Ata shprehen se prej më shumë se 20 vjetësh në këtë zonë nuk është bërë asnjë investim dhe se nuk është interesuar kush për problemin që i shqetëson prej kohësh. Banorët japin alarmin pasi situata është tepër e rëndë dhe kërkojnë menjëherë marrjen e masave nga institucionet përkatëse.
"Siç e shikoni kanalet e ujrave të zeza janë të hapura dhe sa herë që bie shi ato vërshojnë nëpër rrugë duke u bërë një rrezik i madh për përhapjen e sëmundjeve infektive. Sidomos në stinën e verës rastet e të prekurve nga sëmundje të ndryshme infektive janë në shifra alarmante. Kanalet shtrihen rrëz themeleve të shtëpisë, ku për shkak të erës së keqe, dritaret e banesave nuk hapen për asnjë mument, pasi në të kundërt nuk mund të qëndrohet brenda. Mushkonjat nuk largohen dimër e verë. Jemi vërtet në hall të madh, pasi situata është mjaft e rëndë dhe mos sot nesër do të prekemi nga ndonjë sëmundje. Fëmijët e vegjël të lagjes çdo ditë mbushin spitalet dhe shkak janë bërë pikërisht ujërat e zeza në sipërfaqe", shprehet Fatmir Kudreti, banor i zonës së ish-Kënetës.
Një tjetër banor i kësaj zonë thekson se prej 20 vitesh nuk ka asnjë ndërhyrje në drejtim të reabilitimit të ujërave të zeza.
"Jetoj prej vitit '92 në këtë zonë dhe deri më tani nuk është bërë asnjë investim sa i përket reabilitimin e ujërave të zeza. Zyrtarë të pushtetit lokal dhe qëndror kalojnë këtej vetëm në kohë fushatash për të marr votën, ndërsa më pas zhduken për katër vjet. Pavarsisht se jetojmë në mes të Shqipërisë, ky vend të jep përshtypjen e një vendi të humbur në Afrikë, ku njerëzit jetojnë mes ujerave të zeza dhe sëmundjet infektive prekin çdo ditë njerëz të të gjitha moshave. Situata është e rëndë dhe kërkohet ndërhyrje e menjëherëshme".
E pyetur në lidhje me këtë problem, drejtoresha e Shëndetit Publik në Durrës, Lida Boshku shprehet se një grup specialistësh të këtij institucioni kanë shkuar për të parë nga afër situatën, ndërsa theksoi se do të merren disa masa paraprake me qëllim kalimin e verës, kohë mjaft e rrezikshme për përhapjen e sëmundjeve infektive.
"Kemi konstatuar se situata është mjaftë e rëndë në zonën e ish-kënetës, ku kanalet janë të zbuluara dhe do të ndërhyjmë duke bërë dizinfektimin e të gjithë zonës. Eshtë vërtet një situatë shumë e rendë, pasi ujërat e zeza në sipërfaqe janë një burim serioz për sëmundje të ndryshme infektive", u shpreh Boshku.
Në urgjencën e spitalit Rajonal të Durrësit, ç'do ditë paraqiten raste të personave të cilët kërkojnë të marrin ndihmë mjekësore për shkak të prekjes nga infeksione të ndryshme të ardhura si pasojë e mungesës së kushteve higjeno-sanitare.
Sipas bluzave të bardha të paktën katër raste në ditë paraqiten në infektivin e spitalit për të marrë ndihmën e duhur mjekësore, ndërsa pacientët e prekur vijnë nga zonat periferike, si Plazh, Nish-Tulla, Ish-Kënetë e Porto-Romano.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





