DURRËS, 16 shkurt 2015 –  Tani dhe ujërat e ndotura dhe kanalizimet e Durrësit do të kontrollohen onlajn 24 orë në 24 orë.

Drejtoria ekzekutive e ndërmarrjes publike Ujësjellës-Kanalizime Durrës (UKD) sha njofton se, më 5 mars 2015, do të organizojë një tender për sistemin e monitorimit me kamera i stacioneve të kanalizimeve dhe impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura (ITUND). Për këtë qëllim është vënë në dispozicion një fond limit prej 12 milionë lekë (mbi 86 mijë euro) nga fondet e UKD-së sha si investim.

Duke parë rëndësinë e veçantë që kanë 10 stacionet kanalizimeve dhe ITUND-i dhe rolin e madh që luajnë në sistemin e kanalizimeve të qytetit të Durrësit është parë e nevojshme që ato të monitorohen 24 orë në 24 orë nëpërmjet sistemit të kamerave, thanë për “Dyrrah”-un burime zyrtare. Janë 10 stacione kanalizimesh që përfundojnë tek impianti ku derdhin ujërat e ndotura. Gjithashtu edhe sipërfaqja e madhe e impiantit e bën të pamundur monitorimin e mjediseve të tij në çdo moment të ditës. Sistemi i monitorimit online me kamera do të lehtësojë shumë punën në aspektin e sigurisë dhe kontrollit mbi këto objekte.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/