Durrës. Ujësjellësi në konferencën ballkanike
DURRËS, 10 nëntor 2014 – Për tre ditë me radhë, më 5-7 nëntor 2014, në Tiranë, u zhvillua konferenca e përbashkët ballkanike: “Uji dhe energjia”, organizuar nga shoqata e ujësjellësve dhe kanalizimeve të Shqipërisë (SHUKALB) dhe shoqata e ujësjellësve dhe kanalizimeve të Kosovës (SHUKOS), njoftoi zëdhënësi i UKD sha,, kolegu Aleks Klaemasi.
Të pranishmit kanë ndjekur rreth 60 referime nga specialistë të fushës.
Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Durrës sha (UKD) Spartak Kovaçi, u shpreh:
“Kjo konferencë është veprimtaria më e rëndësishme e këtij viti për ujin dhe ne si staf kemi përgatitur referimin e tematikave të ndryshme duke u përfaqësuar me tre vetë që kanë përgatitur çështje të ndryshme në sektorë përkatës të ndërmarrjes sonë. Pjesëmarrja e stafit tonë në këtë konferencë do të na shërbejë për të shkëmbyer përvojën me specialistë të ndërmarrjeve të tjera të vendit si dhe me përfaqësues të huaj që janë të pranishëm. Gjithashtu ajo është shenjë e punës dhe përpjekjeve tona për të pasur tregues më të mirë në lidhje me shërbimet që ofron Ujësjellës-Kanalizime i Durrësit”.
IMPIANTI I TRAJTIMIT TË UJIT TË NDOTUR
Drejtori i impiantit të përpunimit të ujit të ndotur në Durrës Olsi Graceni ka referuar në ditën e dytë të konferencës mbi “Zbatimin e një sistemi të planifikuar të mirëmbajtjes për impiantin e trajtimit të ujit të ndotur”, duke folur për mirëmbajtjen preventive, e cila është një mënyrë që zvogëlon frekuencën e ndërprerjes së punës së pajisjeve në rast të një defekti.
Nisur nga studimet rreth kësaj çështje metoda preventive zgjat jetën e pajisjeve, ul koston e mirëmbajtjes, krijon mjedis të sigurt pune për stafin, rrit eficencën e impiantit dhe e fundit me anë të zbatimit të kësaj metode llogaritet se jetëgjatësia e pajisjeve rritet me 25 për qind.
Impianti i Durrësit funksionon duke trajtuar ujërat e ndotura me llum aktiv duke reduktuar azotin dhe fosforin.
Në fund të procesit përfitohet biogaz në sajë të proceseve kimike tek mbetjet e thata duke rritur numrin e habitateve të faunës me 40 për qind më shumë.
Impianti i përpunimit të ujërave të ndotura ka në total 369 pajisje, që nga njësia e hyrjes deri te pajisjet e laboratorit.
Çdo pajisje e tij është kartelizuar dhe shërbimet hidhen rregullisht në këto kartela. Duke mbajtur vazhdimisht një kalendar të shërbimit për këto pajisje parandalohen edhe defekte të natyrave të ndryshme.
Si përfundim zbatimi i mirëmbajtjes preventive me sistem kartelash rrit eficencën e impiantit dhe ul koston për mirëmbajtjen e tij.
SHËRBIMI DHE KUJDESI NDAJ KLIENTIT
Rozarta Pura, zëvendësshefe e degës së burimeve njerëzore në UKD, në ditën e tretë të konferencës ka referuar mbi “Shërbimin dhe kujdesin ndaj klientit në UK Durrës sha”.
Për të përmirësuar sistemin e menaxhimit të shërbimeve shoqëria Ujësjellës Kanalizime Durrës ka kryer një reformë që është bazuar në katër shtylla: krijimi i sistemit të menaxhimit të ankesave dhe kërkesave të klientëve në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe konform kuadrit ligjor kombëtar; kompjuterizimi i procesit të faturimit dhe kontabilitetit, përfshirë këtu edhe sigurimin e programit (softuer-it) dhe pajisjeve (harduer-it); rishikimi i mënyrës së organizmit të strukturës të shërbimit / kujdesit ndaj klientit; për herë të parë në Ujësjellës Kanalizime Durrës u zhvilluan politika dhe procedura të brendshme për funksionet kryesore: ankesat e klientëve, leximi i ujëmatësve, faturimi, arkëtimi, lidhjet e reja, ndërprerja e shërbimit etj, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe transparencës në pune.
Për të qenë sa më transparent me klientin, janë realizuar politika rekrutimi sipas kërkesave të pozicionit, rritjes profesionale kundrejt planifikimit dhe realizimit të trajnimeve “on the job training”, ndërkohë që sot po bëhen përpjekje serioze drejt informimit në kohë të klientëve.
Në këtë kontekst për herë të parë u realizua vendosja e monitorëve pranë mjediseve të shoqërisë, si dhe janë përgatitur dhe shpërndarë fletëpalosje.
UKD-ja është po punon për azhurnimin e klientit me qëllim krijimin e një baze me të dhëna të përditësuara.
Regjistri i klientit ka të gjitha të dhënat e personit fizik ose juridik, ruan historikun e të gjitha veprimeve të kryera prej tij, klasat e shërbimit dhe klientit sipas gjeografisë.
Një aspekt i rëndësishëm i punës është edhe menaxhimi i ankesave nga ana e klientit, i cili nis me identifikimin e klientit, dokumentimin dhe regjistrimin e ankesave, në sistem, informimin e dërgimin te personat përgjegjës, ndjekjen dhe zbatimin e ankesave, ngritjen e grupit të punës për verifikim, realizimin e shërbimit dhe në fund kthimin e përgjigjes për klientin.
PRAKTIKAT E MATJES SË UJIT
Edlira Hysa, kontabiliste- Bilanci i ujit, foli për: “Praktikat e matjes së ujit në UKD”.
U trajtuan tematikat që lidhen me procesin e matjes së ujit, ujin e pafaturuar, sfidat aktuale të UKD-së, objektivat strategjike dhe planin operacional për përmirësimin e procesit të matjes në UKD.
Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Durrës aktualisht siguron furnizimin me ujë të pijshëm dhe largimin e ujërave të zeza për 4 bashki dhe 10 komuna.
UKD administron sisteme të pavarura të furnizimit me ujë nga pellgjet ujëmbajtëse në Fushë-Kuqe dhe në Fushë-Krujë.
Për të kryer një proces të saktë të matjes së ujit që vjen nga këto vendburime, UKD ka vendosur 4 matës kryesorë të ujit dhe presionit për llogaritjen e konsumit te konsumatorët.
Tubacioni DN 700 që furnizon Durrësin dhe një pjesë të fshatrave përgjatë një gjatësie prej 45 km ka një prurje prej rreth 760 litra ujë në sekondë dhe sigurohet nga pompimi i ujit nga 7 puse që janë hapur në vendburimin e Fushë Kuqes.
Ky ujë shpërndahet përgjatë gjithë rrugës në 54 pika marrëse.
Aktualisht humbjet në rrjetin e ujësjellësit janë të mëdha dhe shkak për këtë janë disa faktorë, si: regjistrimi i pasaktë i sasisë së ujit nga ujëmatësit e konsumatorëve, ineficenca në organizimin e procesit të leximit, lidhjet e paligjshme në sistemin e ujësjellësit, si dhe rrjedhjet në sistemin e shpërndarjes.
Duke paraqitur të dhënat që janë regjistruar për vitin 2013, bie në sy se bilanci i përgjithshëm i ujit që vjen nga të dy sistemet, ai i Fushë Kuqes dhe ai i Fushë Krujës, pra uji pa të ardhura, është në masën 71.4 për qind.
Uji pa të ardhura nënkupton përqindjen e sasisë së ujit që prodhohet, por që nuk faturohet te konsumatori.
Për të normalizuar situatën sfidat që paraqiten lidhen me reduktimin e ujit të pafaturuar me qëllim minimizimin e kostos së prodhimit të ujit, rritjen e performancës financiare nëpërmjet zbatimit të praktikave komerciale në menaxhim e shërbimeve, rritjen e normës së faturimit dhe arkëtimit, rritjen e kapaciteteve të stafit menaxhues të kompanisë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
Fontana di Trevi nuk është më falas! Roma vendos këtë tarifë për turistët nga 7 janari
Papunësia në SHBA u rrit në nëntor në nivelin më të lartë në 4 vite
Macet shpallen zyrtarisht simbole kombëtare në Tajlandë
“Kisha ankth, nuk flija as gjumë”, Aurela Gaçe rrëfen momentin e vështirë në ‘Goca dhe Gra’: Për 3 muaj nuk këndoja dot, ishte dhimbje e madhe





