Durrës, 24 prill 2014 – Inspektoriati i ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime Durrës ka vazhduar aksionin e ndërprerjes së furnizimit me ujë të pijshëm për debitorët familjarë dhe bizneset në hyrje të autostradës Durrës-Tiranë si dhe zonën e banuar pranë këtij aksi rrugor, pjesë e lagjes 14, në Shkozet.

Janë afro 30 lidhje të paligjshme që janë prerë gjatë ditës së sotme, shumica e të cilave i përkasin subjekteve të ndryshme si lavazhe, pika servisi, karburante etj.

Gerald Dautaj, inxhinier pranë UKD tha se “kemi evidentuar të gjitha lidhjet e paligjshme në mënyrë që t’i shërbejmë furnizimit me ujë të pijshëm dhe të rrisim arkëtimet. Nuk kemi si qëllim goditjen e familjarëve, por për momentin jemi përqendruar tek subjektet private, kryesisht lavazhe për të normalizuar situatën duke detyruar abonentët që të lidhin kontrata të rregullta për furnizimin me ujë”.

Aktualisht debia e faturave të papaguara për UKD në total është 1.7 miliard lekë, duke përfshirë këtu abonentët familjarë, subjektet private si dhe entet shtetërore. Zyra juridike pranë UKD është duke punuar për kallëzime penale ndaj abonentëve debitorë, ndërkohë që në total deri tani janë bërë rreth 500 kallëzime penale në dy vitet e fundit.

Vetëm gjatë këtij viti janë bërë 100 kallëzime penale, për abonentë familjarë dhe subjekte private.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/