DURRËS, 17 dhjetor 2014 –  Më 17 dhjetor 2014, gjykata e rrethit gjyqësor Durrës shpalli fajtor kapitenin ukrainas të anijes “ERA 1” Volodimir Demakov, i cili u arrestua më 16 maj 2014, pasi në bordin e anijes që ai drejtonte u konstatua dhe më pas u sekuestrua nga dogana shqiptare, një sasi prej 47 tonë cigaresh kontrabandë, të cilat po tentohej të futeshin në territorin shqiptar. 

Togat e zeza të Durrësit e dënuan kapitenin për veprën penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”, të kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, me 10 muaj e 20 ditë burgim.

Sfond

Në datën 16 maj 2014, strukturat e specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave bënë të mundur konstatimin dhe më pas sekuestrimin e një sasie prej 47 tonë (4 477 koli) cigare kontrabandë e gjendur në anijen “ERA 1”. Anija ishte larguar nga rada e portit të Vlorës pa lajmëruar autoritetet portuale. Operacioni për interceptimin, hetimin, shoqërimin e kësaj anijeje në Portin e Durrësit dhe sekuestrimin e mallit kontrabandë u krye në bashkëpunim mes strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, njësisë së përbashkët hetimore pranë prokurorisë së rrethit gjyqësor Durrës dhe Policisë së Shtetit.

Cigaret ishin futur në mënyrë të paligjshme në territorin doganor shqiptar, kishin një vlerë tregtare rreth 10 milionë dollarë, duke shmangur kështu detyrimin doganor në shumën e 250 milionë lekë ose 2.5 milionë dollarë.

Cigaret e kapura kontrabandë në bordin a anijes ishin pa pullë fiskale dhe pa dokumentacion të rregullt. Në këto kushte strukturat ligjzbatuese kryen sekuestrimin e mallit kontrabandë, mjetit të transportit, ndalimin e kapitenit të anijes dhe një pjese të ekuipazhit të anijes.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/