6 shkollat me performancën më të mirë në edicionin e XI të Festivalit të Ansambleve Popullore të organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës u shpallën mesditën e kësaj të premteje mes një atmosfere elektrizuese.
Juria e festivalit vlerësoi shkollat “Bedrie Bebeziqi”, “Mihal Ekonomi”, “Vasil Ziu”, “Shaqe Mazreku”, “Migjeni” dhe “Abedin Dino” me kupat e festivalit si “Shfaqja më e mirë” mes 30 shkollave pjesëmarrëse.
Si asnjëherë tjetër, godina e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës gumëzhinte nga zërat dhe tifozeria e qindra nxënësve të shkollave 9-vjeçare të qytetit.
Për drejtuesin e sektorit të artit pranë QKF-së, Arian Plaku, edicioni i këtij viti i tejkaloi pritshmëritë, pasi të gjitha shkollat pjesëmarrëse dhanë më të mirën e tyre në skenë.
Për disa ditë me radhë, QKF Durrës u shndërrua në një ansambël të vërtetë ngjyrash nga kostumet popullore të të gjitha trevave të vendit tonë. Secila nga 30 shkollat pjesëmarrëse u përfaqësua me një program të pasur artistik, bazuar në këngët, vallet dhe lojërat popullore.
Folklori është një asetet kulturore më të rëndësishme në historinë e një kombi dhe për këtë arsye, ky festival është kthyer në një traditë të bukur në Durrës dhe shërben për të përcjellë dhe ruajtur tek brezi i ri traditën kulturore shqiptare, të trashëguar ndër breza.
M.B.





